Dhuna në familje mbetet sfidë, trajtohen 53 raste brenda një jave
Foto: Ilustrim/ Laura Hasani

Dhuna në familje mbetet sfidë, trajtohen 53 raste brenda një jave

Aktuale October 27, 2025 - 11:11

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka trajtuar gjithsej 57 raste të reja gjatë periudhës 17–24 tetor 2025, duke ofruar mbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Nga rastet e trajtuara, 53 kanë qenë raste të dhunës në familje, një rast grabitje, një rast vrasje, një rast vrasje e rëndë dhe një rast shkelje e urdhrit të mbrojtjes.

Gjatë kësaj periudhe janë dorëzuar gjithsej në gjykata 9 kërkesa për urdhër mbrojtjeje (KUM), 15 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente (KUME) dhe një kërkesë për ndryshim të urdhrit të mbrojtjes.

ZMNV-ja ka realizuar gjithashtu 16 aktvendime të aprovuara, një të tërhequr dhe dy të refuzuara, duke marrë pjesë në 83 seanca gjyqësore dhe 22 seanca në prokurori. Mbrojtësit e viktimave kanë ofruar gjithsej 76 këshilla juridike, ndërsa gjykatat kanë nxjerrë 23 aktgjykime dënuese, një aktgjykim lirues dhe dy aktgjykime refuzuese.

Po ashtu, është bërë një deklaratë mbi dëmin dhe janë referuar disa raste: tre në polici, tre në Agjencinë Kundër Dhunës në Familje (ANJF), pesë në Qendrën për Punë Sociale dhe një për përfaqësim në strehimore.

Një rast është tërhequr nga përfaqësimi në përputhje me nenin 62 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK). ZMNV-ja vazhdon të ofrojë mbështetje të vazhdueshme për viktimat e krimit dhe dhunës në familje, duke garantuar qasje në drejtësi dhe mbrojtje të plotë ligjore për personat më të cenueshëm në shoqëri.

Dhuna në familje mbetet sfidë, trajtohen 53 raste brenda një jave. /rtk