Turbullira në Ibër-Lepenc shkakton probleme me furnizimin me ujë
Punimet në kanalin Ibër-Lepenc kanë shkaktuar turbullira në furnizim me ujë në disa komuna të Kosovës. Si pasojë e punimeve, disa komuna të Kosovës janë duke u përballur me mungesë e ujit të pijshëm. Banorët e Obiliqit, Fushë Kosovës, Prishtinës dhe Drenasit po përballen me reduktime të vazhdueshme, ndërsa ujësjellësi rajonal thotë se furnizimi pritet të normalizohet gjatë orëve të vona.
Në Komunën e Obiliqit, disa lagje janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm tash e dy ditë. Banorët shprehen të shqetësuar, e njëri ndër ta është edhe Xhafer Gashi, banor i lagjes “Shkupi.”
"Prej dje nuk kemi ujë. Ne kemi rast vdekje e ujë nuk kemi. Ka pleq të sëmurë, fëmijë të sëmurë. Kurrkush nuk ka njoftu”, tha Gashi.
Me mungesë të ujit po përballet edhe një tjetër banor i kësaj komune.
"Ditë e fundit që dy natë nuk kemi ujë prej orës 22:00 deri në mëngjes nuk kemi. Tjera ditë kemi pas mirëpo që dy natë nuk kemi deri në mëngjes", tha banori Rrustem Retkoceri.
Nga Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës është bërë e ditur se problemet me furnizim janë shkaktuar për shkak të turbullirës në kanalin e Ibër-Lepencit, si pasojë e punimeve teknike. Kjo ka ndikuar që në ITU Shkabaj të ketë ndërprerje të përkohshme në trajtimin e ujit.
Si rezultat furnizimi është çrregulluar në disa pjesë të Fushë Kosovës, Prishtinës, Obiliqit dhe Drenasit.
Nga kjo kompani kanë bërë të ditur se aktualisht ITU Shkabaj ka rifilluar trajtimin e ujit me kapacitet të plotë, dhe situata është drejt stabilizimit.
Ndërkohë, në komunën e Drenasit gjendja paraqitet pak më e rënduar, por pritet që edhe atje furnizimi të kthehet në normalitet gjatë ditës së sotme.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës, Arjeta Mjeku, ka konfirmuar për RTK-në se problemi pritet të zgjidhet gjatë orëve të vona të mbrëmjes.