LDK-ja thotë se deputeti Zemaj u ofendua dhe përball me sulm fizik
Foto: Laura Hasani

LDK-ja thotë se deputeti Zemaj u ofendua dhe përball me sulm fizik

Aktuale October 24, 2025 - 19:46

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar dhe ka dënuar atë që e konsideron sulm të papranueshëm të ndodhur sot ndaj deputetit Armend Zemaj.

“Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit. Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh solidaritet të plotë me deputetin Armend Zemaj dhe fton organet e rendit dhe ligjit të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit. “Për LDK-në, respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndryshe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë sot në një incident fizik me një qytetar. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, ka deklaruar për RTK-në se palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. “Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ në Prishtinë. Lidhur me incidentin, palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Pllana.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar vet deputeti i LDK-së. Në një postim në Facebook, Zemaj ka thënë se gjatë një interviste publike është përballur me një situatë të pakëndshme, ku një qytetar e ka ofenduar dhe provokuar verbalisht.