Padi ndaj mjekut turk të Spitalit Amerikan – akuzohet për vdekjen e pacientes pas operacionit në Turqi

Padi ndaj mjekut turk të Spitalit Amerikan – akuzohet për vdekjen e pacientes pas operacionit në Turqi

Aktuale October 28, 2025 - 08:21

Një mjek turk, i angazhuar në një spital privat në Kosovë, së shpejti mund të përballet me drejtësinë në Turqi, pasi po akuzohet nga familjarët e një 47-vjeçareje, e cila vdiq pas operacionit të kryer nga ai në një spital privat në Stamboll.

Siç ka mësuar “Zëri”, fjala është për doktorin turk Suleyman Yedibela, i cili jo më larg se javën e kaluar ishte në Spitalin Amerikan në Kosovë, ku është i angazhuar dhe vjen herë pas here.

Spitali Amerikan këto ditë e ka promovuar ardhjen e dr. Yedibelas në Kosovë, si specialist i njohur ndërkombëtar në trajtimin e tumoreve malinje dhe beninje, me fokus të veçantë në kancerin e pankreasit dhe të mëlçisë.

Por ndaj tij është ngritur padi penale në Turqi, ndërsa avokatja e viktimës ka ngritur pretendime të rënda ndaj mjekut, që shkojnë deri te dyshimet për transplantim të mundshëm të organeve të 47-vjeçares e deri te trajtimi i pandërgjegjshëm me ilaçet.

“Zëri” ka kërkuar koment nga Spitali Amerikan në lidhje me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Cilat janë dyshimet dhe akuzat?

Një nga mediumet më të njohura në Turqi, hurriyet.com.tr, ka publikuar rastin e rëndë, ata kanë folur me avokaten e familjes së Ivanka Yordanovas, 47 vjeçe, një paciente me kancer në mëlçi, që jetonte në Bullgari e që sipas familjes së saj u operua nga specialisti i kirurgjisë së përgjithshme dr. Yedibela, të cilin vetë e ndjera e kishte gjetur përmes rrjeteve sociale.

Sipas pretendimeve të familjes, për ta kryer operacionin e saj ajo duhej të paguante 47 mijë euro, familja pagoi 22.000 euro para operacionit, por nëna e dy fëmijëve vdiq pas operacionit 13-orësh. Trupi i Yordanovas u dorëzua pasi u nënshkrua marrëveshja për pagesën e 25.000 eurove të mbetura.

Avokatja e familjes Yordanova, Shermin Tankut, deklaroi se ata kishin ngritur një padi penale kundër mjekut.

"Një kërkesë iu bë prokurorisë për autopsi. Çdo gjë mund të kishte ndodhur. Ndoshta është kryer një transplantim organi. Ndoshta diçka ka shkuar keq”, ka thënë Tankut për hurriyet.com.tr, të cilën “Zëri” ka provuar të kontaktojë për të marrë detaje për rastin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Siç shkruajnë mediat turke, Yordanova, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Kaloyan Mihaylov, shkoi për ekzaminim, pasi kishte bërë analizat e mëparshme. Dr. Yedibela i kishte thënë se së pari do të merrte ilaçe dhe më pas do t'i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale tre muaj më vonë.

Image
Ivanka Yordanova gjatë takimit me mjekun para operacionit

Yordanovas, siç ka shpjeguar avokatja, pranoi trajtimin, iu kërkuan 20.000 euro për ilaçet dhe 35.000 euro për ndërhyrjen kirurgjikale. Në prill filloi trajtimi me ilaçe për 20.000 euro, por mjeku e informoi se çmimet do të rriteshin dhe se ndërhyrja kirurgjikale duhej të kryhej menjëherë, kështu që tarifa e ndërhyrjes kirurgjikale u rrit me 12.000 euro, në 47.000 euro. Pasi Yordanova deklaroi se nuk mund ta paguante shumën menjëherë, pagesa u nda në këste.

Pas trajtimit me medikamente që kushtuan 20.000 euro, Ivanka Yordanova iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital privat në Stamboll më 29 korrik për 47.000 euro. Familja pagoi 22.000 euro para operacionit, por nëna e dy fëmijëve vdiq po atë ditë në kujdes intensiv pas operacionit 13-orësh. Familja pretendon se pavarësisht kërkesës, nuk u krye autopsi. Trupi i saj u lirua pasi u nënshkrua një dokument që zotohej të paguheshin edhe 25.000 eurot e mbetura. Familja ngriti një padi penale pas varrimit.

Tutje, hurriyet.com.tr shkruan se avokatja e familjes së viktimës pohoi se dr. Yedibela, katër orë pasi kishte filluar operacioni, po ecte nëpër korridorin e spitalit i veshur me uniformë civile. Ai e ndoqi deri në kafene. E pyeti mjekun se si po shkonte operacioni. Doktori i tha se gjithçka shkoi mirë, se operacioni shkoi mirë dhe se po priste një pajisje kirurgjikale nga një spital tjetër për të parandaluar gjakderdhjen.

Image
Kaloyan Mihaylov [bashkëshorti i pacientes] dhe Shermin Tankut [avokatja e famijes]

Avokatj Tankut, deklaroi për mediat turke se certifikata e vdekjes që iu dha familjes thuhej se ishte një "vdekje natyrale" por, se ata dyshonin se organet e Ivanka Yordanovas ishin vjedhur dhe se nuk ishte kryer asnjë autopsi.

Reagimi i spitalit turk dhe dr. Yedibela

Zyrtarët e spitalit, të kontaktuar në telefon nga media turke, thanë se dr. Yedibela, i cili kreu operacionin, nuk ishte anëtar i përhershëm i stafit dhe se ai e kreu operacionin në spital si mjek vizitor.

Ndërsa edhe Dr. Yedibela në një deklaratë për mediumin turk ka thënë se pacientja, Ivanka Yordanova, ishte e hapur për të gjitha metodat e trajtimit dhe se ai ia kishte shpjeguar të gjitha rreziqet. Ai deklaroi se vendimi për të vazhduar me medikamente dhe ndërhyrje kirurgjikale u mor me pëlqimin e pacientes, transmeton Zeri.info.

“Ne folëm me pacienten disa herë më parë. Diskutuam rreziqet e operacionit. Ne i shpjeguam të gjitha rreziqet dhe shpjeguam se çfarë do të bëhej. Pastaj, pacientja pranoi procedurën me iniciativën e saj. Kjo paciente kishte një jetëgjatësi të kufizuar. Pati gjithashtu humbje gjaku gjatë operacionit. Papritur, zbuluam se tumori kishte pushtuar edhe një arterie kryesore. Ne e hoqëm me sukses atë. Pati raste kur gjendja e saj arriti në pika kritike. Operacioni u përfundua dhe ai u transferua në kujdes intensiv. Sindroma DIC është gjithashtu një gjendje e zakonshme te pacientët që marrin suplemente për shkak të humbjes së gjakut pas operacioneve të kancerit. U bënë ndërhyrje, por ajo nuk mbijetoi”, deklaroi ai. /Zëri