
U ndërtua ura e Batllavës në Podujevë por jo edhe rruga që të dërgon aty
Banorëve të Batllavë të Podujevës ka vite që iu flitet për ndërtimin e një rruge dhe një urë që lidh të dyja anët e lumit Batllava që kalon në këtë fshat.
Ura është ndërtuar e madje në të, është vendosur edhe shenjëzimi i rrugës. Por, kaq është pamja e saj, në të dy anët nuk ka rrugë por vetëm kjo pjesë asfalti mbi urë.
Për rrjedhojë, pa shtrirjen e rrugës, ura mbetet thuajse jofunksionale.
E sa me rëndësi është për fshatin, tregojnë banorët.
“Saktësisht gjindemi në lagjen e Nesushtëve, ura mbi lumin Batllava. Është e ndërtuar para tri vite. Qëllimi ka qenë me i lidh dy brigjet e lumit Batllava, Nesushët dhe Malokët. Ura është ndërtu e rruga është pa lëviz vendi. Kjo rrugë është me rëndësi sepse e shkurton rrugën 3 km në anën e majtë dhe të djathtë, mjerisht ka mer kështu”, ka thënë Haki Statovci, banor i Batllavës
Në këtë gjendje, banorët po e keqpërdorin duke e shfrytëzuar për diçka tjetër.
“Këta e shfrytëzojnë për hudhje të mbeturinave, e ndotin lumin e natyrën. Kundërmimi pengon shumë po po shpresojmë që në këtë katër vjetorin e ardhshëm të pushtetit lokal të futet në plan projekt”, ka shtuar Statovci.
Lënia e saj në gjysmë, banorët i ka zhgënjyer.
“Kjo është dashur, kanë qenë edhe bisedime që të përfundohet para 3 vjete. Njëjtë ka mbetë. Kemi marrë arsyetimin se vjen në radhë, kur të vjen e shtrojmë. Ju kemi besu”, ka shtuar Statovci.
Televizioni Dukagjini ka pyetur në Komunën e Podujevës lidhur me këtë çështje, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.