
Kadrijaj: Kurti gënjeu se i ka numrat, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se partia e saj nuk do të pranojë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mashtrime politike.
“Jo, zoti Kurti nuk lënë hapësirë për bashkëpunim. Është tepër e çuditshme sesi mundet Kurti me gënjy sepse përderisa nuk ka qenë i konstituuar ak thënë se i ka numrat për formimin e qeverisë dhe çfarë po ndodhë tash pas konstituimit, po del që na ka gënjy sepse nuk i ka votat për formimin e qeverisë” ka deklaruar Kadrijaj në Dukagjin.
Ajo ka kritikuar Kurtin edhe për mënyrën se si, sipas saj, ka trajtuar partitë tjera opozitare gjatë përpjekjeve për sigurimin e votave.
“Është e çuditshme sesi është deklaruar se çfarë i ka ofruar Nismës, nuk ka qenë e drejtë. Dhe tash, siç po shihet, vendi ndoshta po shkon drejt zgjedhjeve të tjera,” ka shtuar ajo.
Deputetja e AAK-së është shprehur se zgjedhjet e reja janë bërë alternativa e vetme.
“Nuk ka ngelë alternativë tjetër, sepse si mund t’i besojë dikush z. Kurtit kur nuk ka qenë korrekt me Nismën, ndërsa ftesa që i ka bërë LDK-së nuk ka qenë fer – ka qenë një lloj ftese, por me injorancë,” ka thënë Kadrijaj.
Sa i përket mundësisë që ndonjë parti tjetër të marrë mandatin për formimin e qeverisë, ajo ka kujtuar se deri të dielën Kurti ka afat për të njoftuar presidenten se i ka votat.
“Deri të dielën, zoti Kurti e ka mundësinë që t’i thotë presidentes se i ka votat për formimin e qeverisë. Në rast se nuk i ka, është obligim i presidentes t’ia japë shansin partisë tjetër që mund të sigurojë 61 vota. Nuk e kam idenë a mundet ndonjë parti tjetër t’i sigurojë këto vota, sepse nuk është folur në atë drejtim,” ka përfunduar Kadrijaj.