Bislimi bisedon me Sorensenin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Bislimi bisedon me Sorensenin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Aktuale October 22, 2025 - 17:30

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, është takuar në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, me të cilin kanë biseduar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por pakti nuk është zbatuar ende.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

“Së bashku diskutuan rreth rrugës përpara drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit”, u tha në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Sipas njoftimit, gjatë takimit në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, Bislimi, që është zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Kosovës, ka kërkuar nga emisari evropian që të trajtohet “me urgjencë dhe vëmendjen e merituar” çështja e personave të zhdukur me dhunë, “në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar”.

Kërkesë të ngjashme Bislimi kishte bërë edhe gjatë rundit të dialogut të zhvilluar në Bruksel më 11 shtator, por takimi kishte përfunduar pa rezultat.Atëbotë, Bislimi kishte thënë se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur.

Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatonin këtë deklaratë.

“Gjithashtu me urgjencë duhet të trajtohet problemi i bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, që është bllokuar nga Serbia dhe e cila refuzoi edhe në takimin e fundit në Bruksel të muajit të kaluar, që ta trajtojë këtë çështje”, tha Bislimi, sipas njoftimit të lëshuar nga ekzekutivi kosovar.

Bislimi deklaroi për mediat se diskutimet në Bruksel më 11 shtator u ndalën nga Serbia, pasi ai shtroi temën e bllokimit të shpërndarjes së mjeteve nga Qeveria e Kosovës për fermerët në Luginë të Preshevës.

Serbia, në këtë takim, kishte insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Herën e fundit që Sorensen qëndroi në Kosovë ishte në gusht, dhe pas vizitës në Kosovë ai qëndroi edhe në Serbi.

Në Kosovë ai bisedoi me udhëheqësit shtetërorë për, siç deklaroi, zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas takimit me Sorensenin në Beograd se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.Për themelimin e këtij asociacioni, palët janë pajtuar përmes dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut, më 2013 dhe 2015.

Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Një veprim i tillë do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit./REL