
Gratë e Prizrenit bashkohen në panel ndërgjegjësues për kancerin e gjirit
Në qytetin e Prizrenit, Shoqata e Grave “Orkide” në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) organizoi një panel kushtuar Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit – Tetorit.
Gjatë aktivitetit, Dr. Filiz Hashani iu drejtua grave me informacione të rëndësishme rreth kancerit të gjirit, duke theksuar se zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Në mbrëmje morën fjalën edhe Kryetarja e Shoqatës “Orkide”, Sevgi Kervan, si dhe Deputetja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fidan Brina Jilta, të cilat shprehën kënaqësinë që gratë ishin bashkuar në një aktivitet kaq domethënës.
Muaji Tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim./rtk