
FSK-ja në Javën Ndërkombëtare të Akademive Ushtarake në Gjermani
Në kuadër të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, një ekip nga Akademia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përkatësisht nga Qendra për Studime Universitare (QSU), mori pjesë në Javën Ndërkombëtare të Akademive Ushtarake, e cila u mbajt në Shkollën e Oficerëve në Gjermani.
Siç thuhet në njoftim, gjatë kësaj jave, përfaqësuesit e FSK-së patën mundësinë të vizitojnë qytetin e Dresdenit dhe të njihen nga afër me sistemin e shkollimit dhe trajtimit të oficerëve të ushtrisë gjermane. Po ashtu, ata vizituan disa nga qendrat kryesore të trajnimit ushtarak në këtë vend.
Në kuadër të këtij aktiviteti, ekipi nga QSU-ja prezantoi historinë dhe zhvillimin e arsimit ushtarak në Kosovë, duke ndarë përvojat dhe praktikat më të mira me kadetët dhe përfaqësuesit e akademive të tjera ushtarake nga vende të ndryshme të botës.
Tutje thuhet se kjo pjesëmarrje përforcon bashkëpunimin ndërkombëtar të FSK-së dhe kontribuon në ngritjen e standardeve të arsimit dhe trajnimit ushtarak në vend. /Zëri