
OVL UÇK-ja: Vendimi i Hagës mohon krimet serbe në Kosovë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dënuar ashpër vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave të paraqitura nga mbrojtja e Jakup Krasniqi, prova që dokumentojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ky veprim, sipas kësaj organizate, është i papranueshëm dhe përbën një tjetër dëshmi të qasjes së njëanshme të kësaj gjykate, e cila po përpiqet ta paraqesë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës jashtë kontekstit të saj historik, duke mohuar krimet që sollën shkatërrim dhe gjenocid në vendin tonë.
“Të shpallësh të 'parëndësishme' dëshmitë për masakrat dhe krimet serbe do të thotë të mohosh të vërtetën dhe dhimbjen e një populli që luftoi për liri. Kjo është një fyerje për drejtësinë dhe kujtesën historike të Kosovës”, thuhet në reagim.
Tutje OVL UÇK-ja thekson se ky vendim i padrejtë është edhe një arsye më shumë për të protestuar dhe për të ngritur zërin kundër kësaj padrejtësie që po u bëhet çlirimtarëve të Kosovës.