Shoqëria civile në Kosovë i kërkon BE-së t’ia heqë asaj masat ndëshkuese
Foto: Laura Hasani

Shoqëria civile në Kosovë i kërkon BE-së t’ia heqë asaj masat ndëshkuese

Aktuale October 20, 2025 - 15:36

Një numër organizatash të shoqërisë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje të hënën Bashkimit Evropian (BE) t’ia heqë Kosovës masat e mbetura ndëshkuese nga vitit 2023, duke thënë se rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e masave tashmë “nuk ekzistojnë më”.

Në një letër drejtuar bllokut, 12 organizata nënshkruese thanë se “jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës”.

“Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit”, thuhet në letër.

BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të Qeverisë së Kosovës në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit - zonë e banuar me shumicë serbe.

Në maj të këtij viti, Kaja Kallas njoftoi në vizitën e saj të parë në Kosovë si shefe e diplomacisë së bllokut evropian se kishte filluar heqja graduale e masave.

Ajo nuk kishte shpjeguar asokohe se çfarë masash mund të jenë hequr, por Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime të saj në Bruksel masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Organizatat kosovare të shoqërisë civile thanë në letrën e tyre se “besojnë fuqishëm” se heqja e plotë dhe përfundimtare e këtyre masave “në këtë fazë është e përshtatshme dhe e nevojshme”.

Organizatat nënshkruese:

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti i Politikave Evropiane të Kosovës (EPIK)
Instituti GAP për Studime të Avancuara
Fondacioni i Shoqërisë Civile të Kosovës (KCSF)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF)
Rrjeti i Grave të Kosovës (KWN)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
Lëvizja FOL
Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC)
Demokracia për Zhvillim (D4D)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Ato e përmend pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të këtij muaji në veriun e banuar me shumicë serbe si hap pozitiv drejt rikthimit të përfaqësimit dhe legjitimitetit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e ktheu pushtetin në katër komunat me shumicën serbe duke i fituar secilën prej tyre në zgjedhjet e 12 tetorit, tri vjet pasi i kishte bojkotuar institucionet kosovare dhe i kishte braktisur zgjedhjet e mëparshme lokale.

“Besojmë se rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e masave tashmë nuk ekzistojnë më. Me rastin e krijimit të institucioneve të reja në nivel lokal, heqja e masave do të përcillte një mesazh pozitiv bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe do të forconte më tej besueshmërinë e BE-së dhe angazhimin e saj në rajon”, thuhet tutje në letrën e organizatave kosovare të shoqërisë civile.

Këto masa ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara, sipas një raporti nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP.

Udhëheqësit e Kosovës i kanë bërë vazhdimisht thirrje BE-së t'ia heqë masat vendit të tyrë, përfshirë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë.