Dronët ndryshojnë lojën në Kosovë

Dronët ndryshojnë lojën në Kosovë

Aktuale October 19, 2025 - 14:18

Në një rajon ku siguria është e brishtë, çdo blerje armësh përmban më shumë sesa kapacitete teknike - ajo bart edhe mesazhe politike.

Kështu ndodhi edhe me blerjen e fundit të mijëra dronëve turq nga Kosova, e cila shkaktoi reagime të furishme në Serbi.

Presidenti Aleksandar Vuçiq u shpreh “i tmerruar me sjelljen e shtetit turk” dhe e akuzoi atë se “ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane”.

Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë ndonjë reagim nga Ankaraja, por për ekspertët e mbrojtjes, zemërimi lidhet me efektin e drejtpërdrejtë të dronëve.

“Në thelb, ata rrisin koston e çdo operacioni ushtarak kundër Kosovës. Nga përvojat e ushtrive në terren, shohim se dronët kanë aftësinë t’u shkaktojnë [forcave armike] shpenzime të mëdha”, thotë Caglar Kurc, ekspert në industrinë e mbrojtjes nga Universiteti Abdullah Gül në Ankara.

Kosova e prezantoi blerjen si hap drejt përforcimit të kapaciteteve mbrojtëse, ndërsa NATO-ja paralajmëroi se çdo veprim ajror duhet të koordinohet me misionin e saj në Kosovë, KFOR.

Ky mision mbikëqyr hapësirën e ulët ajrore të vendit, e cila së fundmi është shkelur nga dronë të dyshuar të Serbisë, sipas autoriteteve në Kosovë.Dy vendet janë duke ashpërsuar retorikën dita-ditës, me akuza të ndërsjella për provokime dhe shkelje të sigurisë rajonale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kritikoi reagimin e Vuçiqit ndaj Turqisë dhe afrimin e tij me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse.

“Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë lidhjet me aleatët e NATO-s, duke modernizuar aftësitë tona mbrojtëse bazuar në standardet e NATO-s, duke siguruar paqe dhe stabilitet për njerëzit tanë dhe duke kontribuar në mënyrë aktive në sigurinë kolektive”, shkroi Osmani në X.Kapacitetet mbrojtëse të Kosovës mbeten kryesisht të panjohura, pasi shumë nga të dhënat janë të klasifikuara. Megjithatë, nga informacionet e bëra publike këtë muaj dihet se Kosova ka blerë mijëra dronë kamikazë Skydagger nga Turqia, ndërsa, dy vjet më parë, nga ky vend ka pranuar edhe një flotë të dronëve Bayraktar - të njohur për përdorimin e tyre në disa prej konflikteve më të mëdha të dekadës së fundit.

Kurc shpjegon se këta dronë turq janë të aftë për një gamë misionesh: të shkatërrojnë sistemet e mbrojtjes ajrore, të sulmojnë pas vijave të armikut, të shënjestrojnë zinxhirët logjistikë, si dhe të mbledhin informacione të inteligjencës.

“Droni Bayraktar TB2, për shembull, është më i lirë krahasuar me dronët amerikanë. Ofron shikim të papenguar, vendoset lehtë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në fushëbetejë gjatë një lufte konvencionale”, thotë ai.Sitki Egeli, analist i studimeve ushtarake dhe profesor në Universitetin e Izmirit, thotë se dronët i japin Kosovës një dimension të ri mbrojtës dhe shërbejnë si mjet parandalues ndaj kërcënimeve të mundshme.

Ai thekson se këto pajisje kanë revolucionarizuar mënyrën e mbikëqyrjes, shënjestrimit dhe kryerjes së sulmeve, ndërsa ndikimi i tyre, sipas tij, është tashmë i pakthyeshëm - ashtu si dikur ndikimi i artilerisë.

“Kur ta kuptojnë se si dronët i ndryshojnë rregullat e lojës, të gjithë do t’i përvetësojnë. Nëse jo tash, brenda tre, pesë ose dhjetë vjetësh. Është vetëm çështje kohe kur dronët do të bëhen pjesë integrale e të gjitha ushtrive. Unë e kujtoj kohën kur kanë qenë 40 ose 50 vende të pajisura me dronë, por pas pushtimit rus të Ukrainës, numri i tyre është rritur - mund të jetë dyfishuar ose trefishuar”, thotë Egeli.

Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara, të cituara nga BBC dhe The New York Times, sot 118 shtete posedojnë dronë ushtarakë - bashkë me 65 aktorë joshtetërorë.Përdorimi i dronëve nuk është i ri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët përdorën anije me eksploziv, të telekomanduara përmes radios, për të sulmuar flotën në Normandi.

Në dekadat që pasuan, dronët shërbyen kryesisht për zbulim, deri pas sulmeve të 11 shtatorit, kur u armatosën dhe u shndërruan në mjete thelbësore të fushëbetejës.

John Arquilla, profesor i Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare Detare në SHBA, pajtohet se dronët kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si zhvillohen luftërat. Ai përmend fushatën amerikane në Afganistan dhe konfliktin në Ukrainë, ku përdorimi i dronëve turq ka pasur ndikim të dukshëm në fushëbetejë.

“Droni funksionon si një shumëfishues i forcës. Ukrainasit, për shembull, janë shumë më pak në numër se forcat ruse, por dronët u ndihmojnë të barazohen në fushëbetejë dhe u mundësojnë - sidomos kur janë në pozita mbrojtëse taktike - të pengojnë shumicën e sulmeve ruse. Ndaj, për vendet e vogla, përmirësimi i mbrojtjes me dronë është ndoshta një ide shumë, shumë e mirë”, thotë Arquilla.

Kosova ka një forcë të sigurisë - aktualisht prej mbi 4.000 pjesëtarësh - që është në proces të shndërrimit në ushtri. Vitin e kaluar, për mbrojtjen, Kosova ndau 162 milionë dollarë, krahasuar me Serbinë: 2.2 miliardë. Më pak se Kosova në rajon shpenzoi vetëm Mali i Zi: 143 milionë - sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm.

Përveç në Ukrainë, Egeli thotë se dronët turq kanë pasur rol vendimtar edhe në konfliktet në Libi e Siri, si dhe në luftën mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Nagorno-Karabahut.

“Por, bota e kuptoi dhe vlerësoi rëndësinë e këtij ndryshimi vetëm gjatë luftës Rusi-Ukrainë. Sipas mendimit tim, kjo ndodhi për shkak se shkalla e konfliktit ishte shumë më e madhe, dhe interesimi i opinionit publik ndërkombëtar ishte më i përqendruar në këtë konflikt sesa në të mëparshmit”, thotë Egeli.Megjithatë, jo gjithçka është e padiskutueshme. Dronët e bëjnë përdorimin e forcës më të lirë, por kur jeta e personelit nuk rrezikohet, vendimet për të sulmuar bëhen më të lehta - dhe me to rritet edhe rreziku i përshkallëzimit, thotë Arquilla.

“Mendoj se ishte jashtëzakonisht provokuese kur Ukraina goditi avionët bombardues rusë, qindra milje larg vijës së frontit. Nëse dronët fillojnë të përdoren në atë mënyrë për goditje në thellësi, rreziku që ata të shkaktojnë përshkallëzim të mëtejshëm është i konsiderueshëm”, vlerëson ai.

Si shembull, profesori Arquilla përmend se administrata e ishëpresidentit amerikan, Barack Obama, përdori sulme me dronë rreth pesë herë më shumë sesa administrata e paraardhësit të tij, George W. Bush. Ai shton se shumë nga këto sisteme janë relativisht të lehta për t’u operuar dhe nuk kërkojnë trajnime shumë të gjata për pilotët.

"Mendoj se një nga aspektet më tërheqëse të dronëve është lehtësia e përdorimit të tyre. Nuk duhet të jesh pilot avionësh për t’i operuar. Në Shtetet e Bashkuara kemi vërejtur se disa nga pilotët më të mirë të dronëve janë të rinj që u pëlqen të luajnë video-lojëra. Reflekset e tyre janë të shpejta dhe kjo krijon një bazë të madhe të operatorëve të mundshëm. Kjo është edhe një prej arsyeve përse pritet që dronët të përhapen gjithnjë e më shumë”, thotë Arquilla.

Ai, megjithatë, nuk pret që dronët ta zëvendësojnë plotësisht fuqinë ajrore tradicionale. Ai parashikon një të ardhme ku do të ketë një kombinim të pilotëve njerëzorë, aeroplanëve të kontrolluar nga distanca dhe dronëve plotësisht autonomë.

Mbështetja vetëm në dronë, sipas tij, do të ishte e rrezikshme, pasi ata mund të jenë të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve elektronike ose kundërmasave të tjera.Muajin e kaluar, Kosova pranoi edhe disa dronë të blerë nga Shtetet e Bashkuara, me rreze veprimi deri në 60 kilometra. Në inventarin e tij, vendi ka kryesisht armë nga SHBA-ja, Turqia dhe Gjermania.

Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes konfirmuan më herët për Radion Evropa e Lirë se “të gjitha armët e blera nga Kosova në katër vjetët e fundit, janë sipas standardeve të NATO-s” - aleancës ku vendi synon të anëtarësohet.

Ata, gjithashtu, njoftuan planet për të blerë më tej armatime nga SHBA-ja, në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Vuçiq, edhe atëherë, reagoi me zemërim - ai e quajti këtë një garë armatimi dhe u zotua se vendi i tij do të mbrohet kundër çdo agresioni të mundshëm.

E gjithë kjo situatë reflekton edhe zhvillimet më të gjera rajonale, ku NATO-ja dhe Bashkimi Evropian po ndërtojnë një “mur për dronët” për të mbrojtur vendet anëtare nga inkursionet ajrore.

Siç thekson profesori Arquilla, dronët po bëhen pjesë e përhershme e luftës moderne.

Shembulli i Ukrainës, sipas tij, ka frymëzuar vende si Tajvani për të krijuar forca dronësh, si mjet për të detektuar dhe penguar çdo flotë të mundshme pushtuese./Radio Evropa e Lire