Çka ndodhë nëse Albin Kurti nuk mund t’i sigurojë votat për formimin e Qeverisë së re?
Foto: Laura Hasani

Çka ndodhë nëse Albin Kurti nuk mund t’i sigurojë votat për formimin e Qeverisë së re?

Aktuale October 18, 2025 - 08:14

Kanë kaluar një javë prej se Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është mandatuar për kryeministër të Republikës së Kosovës. Mirëpo as pas kaq ditësh, të paktën jo publikisht ka pasë lëvizje për ta formuar Qeverinë e re. Profesori universitar, Mazullum Baraliu në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se cka ndodhë nëse vetëvendosje si partia e parë që doli në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk i ka votat.

“Nëse mandatri për formimin e qeverisë i siguron në kabinetin e tij 61 vota për t’u votuar në Kuvend, atëherë presidentja ia jep mandatin dhe caktohet një seancë e Kuvendit në të cilën votohet për këtë. Nëse nuk i ka numrat e duhur, mandatri do të duhej që këto ditë, madje në një mënyrë ai ka paralajmëruar se në këtë fundjavë do të ketë kontakte, takime me partitë politike për të bërë ndonjë marrëveshje ose kompromis. Nëse kjo nuk arrihet, i mbetet mandatarit që të provojë dhe të mbështetet në vullnetin dhe në vetëdijen politike të deputetëve të partive të tjera që ta krijojnë një shumicë të thjeshtë, ta formojë një qeveri ndonëse të pakicës, e cila do të ishte me mandat të plotë dhe do të merrte përsipër punët e grumbulluara të cilat kaq muaj kanë ngecur në status quo dhe kanë shkaktuar gjithsesi probleme, sidomos mosmiratimi i marrëveshjeve dhe mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe plani i rritjes rreth 900 milionë euro dhe kontrata dhe marrëveshje të tjera të cilat presin miratimin dhe konfirmimin nga Kuvendi që të fuqizohen dhe të zbatohen në praktikë për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës”, ka sqaruar Baraliu.

Sa i përket ndonjë marrëveshje mes partive politike, Baraliu në intervistën për Ekonomia Online ka thënë se në politikë gjërat janë të paparashikushme. Megjithatë, ai shtron versionin që një marrëveshje për balotazh në zgjedhjet lokale, mund të reflektojë edhe për marrëveshje poliitke në nivel qendror.

“Askush asnjëherë nuk mund të thotë në politikën tonë të paparashikueshme që nuk mund të ketë ndonjë marrëveshje, qoftë edhe të heshtur apo të publikuar, aq më tepër kur i kemi zgjedhjet lokale dhe kur kemi balotazh në shumë komuna, mbi 17 komuna ku partitë politike kanë nevojë si për bukë dhe ujë për njëra-tjetrën. Mund të ndodhë që të ketë reflektim dhe një marrëveshje të tillë në komuna politike, që partitë politike kanë një interes të jashtëzakonshëm për të fituar, pastaj të reflektohet edhe në nivel qendror për të pasur një marrëveshje politike”, tha ai.

Por Baraliu ka shpresën se pasë parasysh pasojat që Kosova të përballet me mungesën e institucioneve dhe rëndësinë për të pasë Qeveri, atëherë ndonjëri nga deputetët do të reflektojnë dhe do të votojnë formimin e qeverisë .

“Nëse nuk ka, unë thashë, nuk është e pamundur që të mos ketë vullnet politik dhe vetëdije politike, emancipim demokratik të deputetëve, të cilët me Kushtetutë e kanë të garantuar dhe të paprekshëm mandatin e tyre të deputetit, e kanë personal, nuk mundet askush të ndikojë në bindjen e çdo deputeti të votojë apo jo për një çështje. Dhe meqë deputetët kanë investuar edhe financiarisht për t’u bërë deputetë dhe kanë një mandat katërvjeçar para tyre dhe kanë interesa dhe natyrisht do bien autoritete, përfitime nga mandati për ta mbajtur, që nuk janë të prirur për zgjedhje, dhe besoj që ndonjëri prej tyre do ta votojë, sepse kemi të bëjmë për tre-katër deputetë. I inkurajoj të votojnë edhe nëse nuk ka marrëveshje politike dhe ta vënë në sprovë, t’ia japin mundësinë sepse kjo është interes publik, shtetëror, strategjik i Kosovës të mos mbesim pa qeveri”, theksoi Baraliu.