
Kurti: Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pasaporta e Republikës së Kosovës është më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley.
Sipas tij, Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të që ishte në vitin 2021, në vendin e 65-të. Edhe në krahasim me vitin e kaluar, Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa ka qenë në vendin e 68-të.
“Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë", ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se me pasaportën e Republikës së Kosovës, e cila po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht, qytetarët po përfaqësohen dinjitetshëm, po udhëtojnë në më shumë vende pa viza dhe po e fuqizojnë republikën.