Punëtorët e “Rilindjes” protestojnë para AKP-së: Katër vjet pritje, 1.5 milion euro ende të bllokuara
Foto: Laura Hasani

Punëtorët e “Rilindjes” protestojnë para AKP-së: Katër vjet pritje, 1.5 milion euro ende të bllokuara

Aktuale October 17, 2025 - 12:36

Punëtorët e ndërmarrjes së gazetës dhe botimeve “Rilindja” kanë protestuar të premten para selisë së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për mospagesën e 20-përqindëshit nga trualli prej 5.5 hektarësh, por edhe për një pjesë të mjeteve financiare që, sipas tyre, kjo agjenci po i mban pa të drejtë tash e katër vjet.

Këtë të drejtë, e cila sipas tyre u takon ligjërisht, po e kërkojnë rreth 660 ish-punëtorë të “Rilindjes”.

Përfaqësuesi i tyre, Besim Kajtazi, tha se është e papranueshme që zëri i punëtorëve të dëgjohet vetëm pas protestave, ndërsa institucionet vazhdojnë të injorojnë kërkesat e tyre legjitime.

“Nuk është e pazakontë që zëri i qytetarëve të dëgjohet vetëm pasi ata të dalin në rrugë. Por ajo që është vërtet shqetësuese është fakti se edhe pas protestave të gjata, institucionet dhe AKP-ja vazhdojnë të injorojnë kërkesat legjitime të punëtorëve të ‘Rilindjes’. Shembulli më i freskët është ai i punëtorëve që sërish protestojnë para Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), të zhgënjyer dhe të lodhur nga një pritje shumëvjeçare që nuk po përfundon me drejtësi”, tha ai në fjalën e tij gjatë protestës.

Ai kujtoi se, pas presionit publik, Qeveria kishte ndarë miliona euro për kompensimin e punëtorëve, por një pjesë e mjeteve ende nuk është shpërndarë.

“Katër vjet më parë, pas presionit publik dhe protestave të shumta, Qeveria derdhi 3.3 milionë euro në arkën e AKP-së, të destinuara për pagesën e pjesës së tyre nga 20-përqindëshi. AKP-ja, me vonesë dhe pa transparencë të plotë, shpërndau një pjesë të mjeteve, por 1.5 milion euro mbetën të paprekura. Deri më sot nuk ka një arsyetim bindës përse këto mjete nuk janë shpërndarë, edhe pse qëllimi i tyre ishte i qartë: kompensimi i punëtorëve. Ky është një shembull flagrant i mungesës së përgjegjësisë dhe mungesës së llogaridhënies institucionale”, tha ai.

Sipas Kajtazit, padrejtësitë janë shtuar edhe me mënyrën sesi është trajtuar trualli ku ndodhet kompleksi “Rilindja”.

Image

“Situata përkeqësohet edhe më tej me çështjen e truallit prej 5.5 hektarësh, ku ndodhet kompleksi ‘Rilindja’. Ndarja e këtij trualli në tri pjesë dhe kalimi i tij në pronësi të institucioneve të ndryshme, pa përfshirjen e punëtorëve në këtë proces dhe pa respektuar të drejtën e tyre ligjore për 20-përqindëshin, është një padrejtësi e pastër”, tha ai.

Ai shtoi se AKP-ja, që sipas mandatit duhet të mbrojë interesin e punëtorëve, po shmang përgjegjësinë dhe po i lë ata në pasiguri të plotë.

“Më shqetësues është fakti që AKP-ja, institucioni që duhet të mbrojë interesin e punëtorëve në proceset e privatizimit, po hesht dhe po shmang përgjegjësinë. Punëtorët ndihen të diskriminuar dhe të fyer jo vetëm për shkak të padrejtësisë materiale që po u bëhet, por edhe për shkak të shkeljes së rëndë të dinjitetit të tyre si kontribuues shumëvjeçarë në këtë vend. Injorimi i kërkesave të tyre, mungesa e transparencës dhe mosdhënia e përgjigjeve zyrtare e përforcojnë bindjen se drejtësia në këtë rast është selektive, e në dëm të atyre që kanë dhënë shumë dhe kanë marrë pak ose aspak”, tha ai.

Kajtazi përmendi edhe çështjen e pronave të gazetës “Rilindja” jashtë vendit, për të cilat, sipas tij, AKP-ja nuk ka vepruar.

“Gazeta ‘Rilindja’, krahas pasurisë në Kosovë, kishte prona edhe në Zvicër e Tiranë. Në Zvicër u zhdukën pa lënë gjurmë, ndërsa prona në Tiranë është uzurpuar, e për fat të keq uzurpuesit janë nga Kosova. Një përfaqësues i uzurpuesve, dikur udhëheqës i një departamenti këtu në AKP, na pat thënë se pronën tonë në Tiranë ua ka dhënë Qeveria, por nuk pat saktësuar cila. Nëse është kështu, atëherë ne të gazetës e duam 20-përqindëshin e asaj prone që ndodhet në qendër të Tiranës”, tha ai.

Në fund, ai theksoi se heshtja e institucioneve është tregues i mosgatishmërisë për t’u dhënë fund padrejtësive që, sipas tij, po zgjasin prej vitesh.

“Çuditërisht, AKP-ja përgjegjëse për pronat, hesht edhe këtë rast dhe nuk ka ndërmarrë ende asgjë! Secilës ndërmarrje AKP-ja ia ka paguar të paktën tri paga. Punëtorëve tanë jo!

Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: deri kur institucionet do të sillen sikur këto çështje nuk ekzistojnë? Heshtja dhe mosveprimi nuk janë zgjidhje. Ato janë konfirmim i paaftësisë ose mosgatishmërisë për të ndrequr një padrejtësi që zvarritet prej vitesh”, tha ai.