Lista Serbe dënohet me mbi 60 mijë euro për shkak të shkeljes së rregullave në fushatë
Foto: Laura Hasani

Lista Serbe dënohet me mbi 60 mijë euro për shkak të shkeljes së rregullave në fushatë

Aktuale October 17, 2025 - 12:22

Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi, rezulton të jetë shkelësja më e madhe e Kodit të Sjelljes gjatë fushatës zgjedhore në Republikën e Kosovës. Kjo vërtetohet në atë ku Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) shqiptoi gjoba e ndaj subjekteve politike që gjatë fushatës në zgjedhjet lokale shkelën kodet e sjelljes.

Bazuar në regjistrin e PZAP-it, nga 118 mijë e 700 euro, Listës Serbe i është shqiptuar gjoba 60 mijë e 600 euro.

Gjobën më të lartë, prej 30 mijë eurosh, e mori Lista Serbe për shkak të fjalimit të kryetarit të saj, Zlatan Elek, gjatë tubimit parazgjedhor në Graçanicë.

Paneli vendosi të ndëshkojë këtë parti sepse Eleku në fjalimin e tij e quajti Graçanicën “zemër serbe që rreh për të gjithë në Kosovë e Metohi”.

“Graçanica është fe, Graçanica është komb, Graçanica është zemra serbe që rreh për të gjithë ne në Kosovë e Metohi… Vetëm të bashkuar dhe unikë mund t’i ruajmë shenjtëritë tona, manastirin e Graçanicës, kishat tona, ciriliken tonë, kombin tonë, fëmijët tanë, të ardhmen tonë. Prandaj më 12 tetor votojmë serbisht, votojmë për Listën Serbe, votojmë për numrin 170, votojmë për Novak Zhiviqin për kryetar të Graçanicës”, tha Eleku më 9 tetor gjatë tubimit elektoral.

Trupi gjykues, i kryesuar nga Bujar Muzaki, e kualifikoi këtë mesazh si poshtërues dhe të mbushur me urrejtje, duke vlerësuar se përdorimi i tij cenon procesin demokratik zgjedhor.

Lista Serbe u gjobit edhe mbi bazën e ankesës së partisë së Nenad Rashiqit – Për liri, drejtësi dhe mbijetesë, për shkak të materialeve promovuese të vendosura në objekte publike.

Sipas ankesave të GI “Fytyrë e re – Drejtësia popullore”, Lista Serbe u gjobit me 15.000 euro.

Sipas të dhënave të PZAP-it, subjekti i dytë më i dënuar për shkelje të rregullave zgjedhore ishte Sokol Halili në Skenderaj. Halili u gjobit pasi e krahasoi kundërkandidatin nga Partia Demokratike e Kosovës, Sami Lushtaku, me Milan Radoiçiqin.

Atij iu shqiptua një gjobë prej 17.000 eurove. Pas tij, sipas lartësisë së gjobave, vijnë LDK, Lëvizja Vetëvendosje, PDK…

Është dënuar edhe partia e Rashiqit “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” me 4.000 euro, “Unioni Socialdemokrat” (SDU) – 3.000 euro, “Partia e Re Demokratike” (NDS) – 3.000 euro, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) – 3.000 euro dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 1.300 euro.

Partia Socialdemokrate (PSD), kandidati i Gorancëve Nedëmedin Sejdilar, subjekti politik serb “Fytyrë e re – Drejtësia popullore”, “Lëvizja Parlamentare e Romëve të Kosovës” dhe “Partia Demokratike Turke e Kosovës” po ashtu janë dënuar. Këto subjekte politike janë gjobitur me nga një mijë euro ose më pak.