Në këmbë nga Kosova, veterani i UÇK-së mbërrin në Tiranë për protestën

Në këmbë nga Kosova, veterani i UÇK-së mbërrin në Tiranë për protestën

Aktuale October 17, 2025 - 11:39

Agim Pllashniku, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Tiranë, pas një rruge prej 260 kilometrash të përshkuar në këmbë që nga Prishtina.

Në një lidhje live për Euronews Albania, ai tha se e ndërmori këtë rrugëtim në përkrahje të luftëtarëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë dhe në mbështetje të protestës që do të zhvillohet në Tiranë, në orën 17:00.

Sapo mbërriti në Tiranë, ndalesa e tij e parë ishte te shtatorja e Adem Jasharit, ku i vendosi dhe një shall me simbolikën e UÇK-së.

Pllashniku, i nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, tha se rrugëtimi kishte zgjatur dy ditë e dy net.

“Ndihem pak i lodhur, por jemi mirë. Në orën 10:00 kam hyrë te sheshi ‘Shqiponja’. E mora këtë iniciativë për të përkrahur ata legjendarë që janë në Hagë, që mbahen padrejtësisht prej pesë vitesh me aktakuza të Beogradit. Po mendoj se po, ia vlen, sepse ata kanë sakrifikuar për ne, shteti shqiptar ka sakrifikuar për ne”, u shpreh ai.

Sakaq, veterani Pllashniku u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës simbolike në Tiranë, duke theksuar se luftëtarët në Hagë kanë nevojë për përkrahje.

“Do të mbahet mend kjo protestë”, theksoi ai.

Në fund, ai falënderoi të gjithë qytetarët dhe Policinë e Shtetit për përkrahjen, si dhe mediat që e ka ndjekur gjatë rrugëtimit të tij.