
Deputetja e Nismës: AAK-ja, pjesë e Kuvendit si rezultat i kontributit të Fatmir Limajt
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar të mërkurën në një emision se nuk do të donte të ishte më në një listë zgjedhore me kreun e Nismës, Fatmir Limaj.
Ai tha se e respekton Limajn për kontributin e tij në luftë, por politikisht nuk do të donte të ishte në listë me të, pasi sipas tij, Limaj nuk komunikoi me AAK-në për drejtimin e tij të ri për të “shkuar me Albin Kurtin”.
“Asnjë problem nuk e kemi pasur, hatër mbetjet ose si me i quajt ka qenë pse nuk ka komunikuar me neve para se me marrë një drejtim tjetër ku shkojë te Kurti. Nuk kisha pas qejf me qenë edhe në listë ku është Fatmir Limaj në atë listë”, ka thënë Haradinaj në T7.
E lidhur me këtë deklaratë, nga Nisma Socialdemokrate i janë kundërpërgjigjur nënkryetarit të AAK-së, Daut Haradinajt.
Deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi, ka deklaruar për “Front Online” se AAK-ja është pjesë e Kuvendit si rezultat i kontributit të Limajt.
Sipas saj, deklaratat e Haradinajt janë interminore.
“E shoh si jo korrekte në raport me Nismën dhe Fatmir Limajn, Dautin për mua këto deklarata të tij janë interminore dhe si rezultat i Fatmir Limajt, AAK-ja është në Kuvend dhe duhet të kenë shumë kujdes në këso deklarata. AAK-ja është pjesë e Kuvendit si rezultat i votave të Nismës dhe kontributit të Fatmir Limajt”, u shpreh Krasniqi.