
PD-ja s’do të marrë pjesë në protestën pro liderëve të UÇK-së, Berisha: Ka nuanca kundër Qeverisë së Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për protestën që do të zhvillohet nesër në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
“Mitingu që do të bëhet ka nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës. Rama kishte planifikuar 60 minuta fjalim aty.
Nuk ka asnjë njeri dëshirë që të bëjë një çështje kaq madhore, siç është gjenocidi, çështje partiake. Është verbëria e atyre që u urdhërojnë ju të mos votoni eksterminimin e shqiptarëve vetëm për shkak të etnisë së tyre. Shkoni në Kosovë, shkoni në Krushë, shkoni në Reçak, shkoni në Luginë e Butë.
Pata rastin të isha në verë në bjeshkët e Istogut.
Nga maja, nga Sanxhaku kishin ardhur hordhitë serbe dhe kishin marrë çdo të moshuar, çdo fëmijë, çdo grua që kishin gjetur aty, të dalë jashtë zonës së luftës, i kanë grumbulluar dhe kanë ekzekutuar 54 vetë vetëm për shkak të etnisë shqiptare. Burra, mjekë, pensionistë, fëmijë.
Dhe kjo është vetëm njëra prej tyre. Si mund të ndahemi ne në këtë? Po absolutisht më shëmbëlleni, t’ua them me sinqeritet, si parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjës. Po si mundet kjo? Çfarë ka këtu?
Po të dënosh gjenocidin është një detyrim absolut i njeriut të qytetëruar. Dhe bëhet ky diskutim. Jo mor jo. Edi Rama u tregua po aq sa Vuçiqi armik i Kosovës. I vuri sanksionet i pari. U vu në shërbim të skenarëve për ndarjen e Kosovës. E përjashtoi nga të gjitha nismat. U përpoq për të përmbysur Albin Kurtin. Personalisht dua ta them, ne kemi homologë LDK-në, herë del e para, herë del e treta, por ne mbetemi aty. Por ne nuk e imagjinojmë kurrë që të ndërmarrim veprime subversive. Edhe mitingu që bëhet me nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës. Kishte planifikuar 60 minuta Edi Rama fjalim, njësoj si të dilte Vuçiqi të fliste aty”, u shpreh Berisha. /TCH