Kërcënohet ekipi i Tëvë1 në Zveçan, AGK-ja dënon sjelljen e organeve të sigurisë

Kërcënohet ekipi i Tëvë1 në Zveçan, AGK-ja dënon sjelljen e organeve të sigurisë

Aktuale October 16, 2025 - 15:17

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me përcjelljen dhe kërcënimin e ekipit të Tëvë1 sot në komunën e Zveçanit.

Në reagim AGK-ja bën të ditur se sot është njoftuar nga ekipi i televizionit në fjalë për këtë rast.

“Gazetari Venhar Isufi dhe kameramani Valmir Gashi kanë raportuar se ata janë ndjekur nga një veturë e tipi ‘Audi A4’, ngjyrë e zezë e cila është ndaluar para objektit të Komunës së Zveçanit dhe aty një person u ka thënë ‘nëse donin foto me zyrtarin policor, G.K.’, për të cilin kishte një raport televiziv një natë më parë.

AGK-ja e dënon fuqishëm këtë sjellje të individëve që janë pjesë e organeve të sigurisë së Kosovës, dhe e vlerëson si mënyrë të papranueshme të frikësimit ndaj gazetarëve për ta bërë punën e tyre”, thuhet në reagim.

AGK-ja thekson se ekipi i gazetarëve e ka raportuar rastin në Polici dhe ka kërkuar nga organet e rendit hetim të plotë dhe të shpejtë.

“Gazetarët duhet te jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre të papenguar, në secilën rrethanë”, ka theksuar AGK-ja.