
Sadiku: Protestat kundër Gjykatës Speciale thirrje për drejtësi, partitë t’i shfrytëzojnë rrugët e veta
Shoqata e të Burgosurve Politikë ka komentuar polemikat mes Vetëvendosjes dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama rreth protestës së Gjykatës Speciale.
Kryetari i kësaj shoqate, Shefik Sadiku, në një intervistë u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë rrugë të tjera për qëllimet e tyre, e ku shtoi se njeh anëtarë të Vetëvendosjes që kanë marrë pjesë në protestën që u mbajt në Prishtinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne nuk lëshohemi në këto segmente dhe deklarata, Shoqata është shumë rezistente ndaj këtyre, nuk pajtohet me padrejtësitë kushdo që i ka bërë në historinë e popullit shqiptar dhe kushdo që i bën. Ne përkrahim çdo ide dhe organizatë që lidhet mbrapa flamurit kombëtar dhe idesë së lirisë kombëtare shqiptare. Prandaj, subjektet politike është koha e manipulimeve që mundet të bëjnë ose të mos e bëjnë, por nuk është në rregull, duhet të bashkohemi sepse kemi një qëllim – ne nuk po mbrojmë individin në këtë rast. Të gjitha vijat që na dërgojnë për në Tiranë duhet të përcjellin një mesazh në Parlamentin Evropian që kjo gjykatë duhet të zhbëhet, se krimet që janë bërë, i kanë bërë serbët dhe jo shqiptarët. Individët të cilët dalin me deklarata të tilla apo në emër të atij subjekti, absolutisht nuk qëndron ajo, nuk mundet të jetë e vërtetë edhe po ta ketë thënë, sepse kushdo, e kam fjalën, sepse ideja jonë është që kjo protestë ta realizojë qëllimin përfundimtar, të shfrytëzohen mekanizma diplomatikë jo vetëm të qeverisë së Kosovës, por edhe asaj të Shqipërisë, nëpërmjet së cilës mund të hyjmë në Parlamentin Evropian dhe të korrigjojmë një padrejtësi të cilën e kanë bërë”, tha Sadiku.
Ai shtoi se është koha për unitet dhe jo për manipulime politike.
“Unë njoh shumë anëtarë të të gjitha subjekteve, edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë marrë pjesë në protestën e Prishtinës por gjithashtu edhe në Hagë. Përpjekjet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të shkohet drejt bashkimit kombëtar janë të mirëseardhura; ajo bëhet në bazë të platformës së politikës kombëtare dhe qëllimit të bashkimit që ky popull, që me projektin politik të Hasan Prishtinës e këtej, nuk është ndalur kurrë, edhe pse gjatë rrugëtimit janë ndryshuar shumë emra. Bashkimi bëhet me të gjithë, pak nga pak, dhe realizimi i një qëllimi. Partitë politike bëjnë gara dhe probleme për të realizuar qëllime të tyre me ardhur në pushtet, ndërsa Shoqata e të Burgosurve Politikë gjithmonë ka luftuar që të rreshtohen rreth flamurit kombëtar dhe drejt vijës së bashkimit. Këtë nuk ka kush e ndal, asnjë qeveri. Pushtuesit serbë kanë bërë krime, ndërsa sot akuzohen në Hagë Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi dhe komandantë të tjerë. Por ideja e lirisë sonë nuk ka të ndalur, ndërsa partitë politike të shfrytëzojnë rrugët e veta me ardhë në qeveri, por duhet me ditë që e kanë obligim kombëtar edhe ndaj këtyre, edhe ndaj kombit shqiptar”, theksoi Sadiku.
Protesta e radhës do të mbahet nesër, më 17 tetor, në orën 17:00 në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. /eo