Këshilli i Familjarëve të të Zhdukurve i bashkohet protestës për çlirimtarët në Tiranë
Foto: Laura Hasani

Këshilli i Familjarëve të të Zhdukurve i bashkohet protestës për çlirimtarët në Tiranë

Aktuale October 16, 2025 - 13:41

Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve në Kosovë (KKAFZHK) do t’i bashkohet protestës mbarëkombëtare “Unë jam UÇK”, e cila do të mbahet nesër në Tiranë, në përkrahje të çlirimtarëve, të cilët aktualisht po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Përmes një njoftimi për media, shoqatat anëtare të KKAFZHK-së dhe familjarët e personave të zhdukur shprehin mbështetje të plotë për organizimin e kësaj proteste, duke e konsideruar gjykimin e çlirimtarëve si të padrejtë dhe një devijim nga prioritetet themelore të drejtësisë tranzicionale në Kosovë.

“Ne theksojmë se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës mbetet çështje parësore dhe urgjente për shoqërinë tonë. Me mbi 1500 persona ende të zhdukur, është e domosdoshme që përpjekjet për drejtësi të përqendrohen në këtë plagë të hapur, përpara çdo trajtimi tjetër të njëanshëm të së kaluarës”, thuhet në njoftim.

Më tej, KKAFZHK-ja kërkon që drejtësia të vihet në vend pa vonesë, që çdo krim të hetohet në mënyrë të drejt dhe që agresori – shteti serb, të mbahet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Shpresojmë dhe besojmë se shumë shpejt do të zbardhet fati i çdo personi të zhdukur dhe se familjarët do të mund të prehen në paqe, me të vërtetën dhe drejtësinë e plotë”, përmbyllet njoftimi.