
Ministria e Mbrojtjes thotë se FSK-ja ngatërroi drejtimin dhe u fut në veri
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas raportimeve se konvoji i FSK-së ishte futur gabimisht në veri të Mitrovicës.
Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se,gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes, transmeton Zeri.info.
“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot, më datë 16.10.2025, në orën 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në Kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Po ashtu, më herët zëvendëskomandanti i Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për “Zërin” se disa automjete ishin parkuar në një pikë karburanti në veri të Mitrovicës.
“Diku para orës 11:00 në afërsi të stacionit Policor në Mitrovica Veri tek ish-NIS Petrol janë parkuar disa automjete të FSK-së. Kur atyre u është afruar policia, të njëjtët kanë thënë se e kanë ngatërruar rrugën. Policia i ka përcjellë nga ai vend deri te Kërshi i Dudës”, tha Elshani për “Zërin”.