Manxhuka i LVV-së reagon ndaj Ramës: Në cilat organizata ndërkombëtare Shqipëria ngriti zërin kundër Speciales?

Manxhuka i LVV-së reagon ndaj Ramës: Në cilat organizata ndërkombëtare Shqipëria ngriti zërin kundër Speciales?

Aktuale October 16, 2025 - 11:56

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Manxhuka ka kërkuar nga Rama të përgjigjet në, siç i ka quajtur ai, në tri pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje rreth Gjykatës Speciale, transmeton Zeri.info.

Manxhuka ka kërkuar nga Rama të tregojë nëse ka ardhur me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët të formojnë Gjykatën Speciale, të tregojë se a ka ndryshuar qëndrimi i LVV-së dhe ku e ka ngritur Shqipëria zërin kundër Speciales në organizatat ndërkombëtare.

Sipas tij, deklaratat e fundit të Ramës janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik.

Shkrimi i plotë i Manxhukës:

Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje.

Më konkretisht ai mund të tregojë:

1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyrë ai themelimin e Gjykatës Speciale?

2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV-së rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?

3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?

Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik.