Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në Maqedoni, deri tani janë paraqitur 43.000 persona
Foto: Laura Hasani

Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në Maqedoni, deri tani janë paraqitur 43.000 persona

Aktuale October 16, 2025 - 11:41

Ministria e Shëndetësisë informon se sot ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili po realizohet në gjithsej 35 pika vaksinimi në mbarë vendin, prej të cilave pesë janë në Shkup.

Deri më tani, 43.000 qytetarë janë paraqitur përmes aplikacionit vakcinacija.mk, ndërsa mundësia për paraqitje mbetet e hapur.
“Interesi i qytetarëve që deri tani janë paraqitur për vaksinën kundër gripit sezonal është i madh. Jam i kënaqur me interesimin e treguar dhe dua të rikujtoj se mundësia për paraqitje është ende e hapur – përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose përmes mjekut amë. Këtë vit, Ministria ka siguruar numrin më të madh në histori të vaksinave kundër gripit sezonal – 80.000 doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur “Abot” nga Holanda.

Vaksinimi është masa më e mirë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit, dhe pres që numri i qytetarëve të regjistruar për vaksinim të vazhdojë të rritet në ditët në vijim,” tha ministri Aliu.

Vaksinimi falas përfshin kategoritë e rrezikuara të popullsisë: personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat që qëndrojnë në institucionet e kujdesit social për të moshuarit dhe të punësuarit në këto institucione.