Krasniqi: Kurti po përdor retorikën e bllofeve, s’ka numra për qeveri
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Kurti po përdor retorikën e bllofeve, s’ka numra për qeveri

Aktuale October 16, 2025 - 09:02

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci + po vlerëson se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e qeverisë nuk posedon dot numrat për themelimin e ekzekutivit të ri.

Madje ai u shpreh se Kurti po përdor edhe retorikën e bllofeve, ngjashëm siç kur s’i kishte numrat edhe për emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

“Deklaratat e atëhershme kishin shkarje logjike, sepse Kurti, i cili ishte i interesuar të formonte sa më shpejt qeverinë dhe i kishte votat për vete, ato të njëjtat s’mund të llogariteshin për Albulena Haxhiun për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit në mënyrë që t’i hapte rrugë zgjedhjes së qeverisë dhe ‘Kurtit 3’ dhe ashtu siç nuk i ka pasur atëherë për kryetare të Kuvendit dhe bënte bllofe të tilla, kjo është vazhdimësi e një retorike të tillë, për të arsyetuar mungesën e numrave që ka”, tha Krasniqi në Klan Kosova.

“Është edhe një deklaratë tjetër, pas mandatimit ku thotë se tani jemi duke bërë analiza për rezultatet e zgjedhjeve lokale, dhe nuk jep interesim se është duke punuar për të formuar qeverinë”.

“Ai është afati, maksimal – dhe zakonisht qeveritë që i kanë pasur numrat, e kanë bërë që atë ditë, nuk kanë pritur as të nesërmen që ta formojnë qeverinë. Po në rregull, edhe kur nuk janë numrat të paktën shohim përpjekje prej atyre të mandatuarve, që të kenë takime të tjera, për të krijuar shumicën për përbërjen e qeverisë”.

“Por Kurti tani ka zhvendosur në diskurs, duke u munduar të heq presionin publik, mbi mosaktivitetin e tij për të formuar qeverinë. Thotë se jemi duke bërë analiza të zgjedhjeve lokale. ‘Qendrat i bëjnë analizat’ thotë, dhe ‘ju keni kohë të bëni gjëra të tjera’”.

“Këtu e vendos partinë përpara shtetit. Ai është kryeministër në detyrë, por institucionet e Kosovës, janë jofunksionale, është qeveri që ka mandat të kontestuar, por dhe legjitimitet të cunguar dhe detyra të cunguara”.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, e cila konfirmoi raportimin ekskluziv të Klan Kosovës muaj më parë, se askush nga BE-ja nuk i shkon më Kurtit në qeveri për takime.

“Von der Leyen nuk pranoi që ta takojë në ndërtesë të Qeverisë, por në ndërtesën e Kuvendit. Dhe është vendim zyrtar i institucioneve të Bashkimit Evropian që nuk e takojnë askënd në objektin e qeverisë, për shkak të kontestimit që i bëhet vet qeverisë në detyrë, dhe ajo e takoi në sallën ku mblidhet kryesia e kuvendit dhe jo në cilësinë e kryeministrit”.