
Vetëvendosje mbështet protestën në Tiranë për ish krerët e UÇK-së
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj qytetarëve që do të protestojnë për drejtësi në lidhje me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Tiranë, duke theksuar se qëndrimi i saj për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.
Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ka kujtuar se themelimi i Gjykatës Speciale nisi që në vitin 2008 me një rezolutë të Këshillit të Evropës, e propozuar nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, dhe u miratua në vitin 2011 me propozim të senatorit zviceran Dick Marty.
VV-ja ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, duke i kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë për ekzistencën e një grupi kriminal brenda saj.
“UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, e cila është shkaktarja kryesore e gjenocidit dhe krimeve masive ndaj popullit të Kosovës,” thuhet në reagim.
bën thirrje aktorëve dhe politikanëve që sot kundërshtojnë Gjykatën Speciale të reflektojnë mbi qëndrimet e tyre të kaluara, duke përmendur edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili në vitin 2015 kishte mbështetur themelimin e kësaj gjykate.
“Drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën, e cila qëndron në anën e luftës dhe përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim dhe pavarësi”, theksohet në komunikatë.
Sipas VV-së, institucionet e Shqipërisë dhe shtetet mike të Kosovës kanë përgjegjësi që këtë çështje ta ngrejnë në forume ndërkombëtare si OKB, Këshilli i Evropës, OSBE, NATO dhe Bashkimi Evropian, dhe jo në sheshe publike si ai “Skënderbe” në Tiranë.
Po ashtu, këto institucione duhet të bëjnë më shumë për njohjen e gjenocidit dhe për gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë dhe rajon.