
Osmani: Me Von der Leyenin diskutuam për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Kosova është gati të ecë përpara me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.
Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani ka shkruar se me Von der Leyenin, ndër të tjera, kanë diskutuar edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.
“Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, shkroi Osmani. /Zëri