
Grantolli: Për 13 vjet s’është mbledhur Bordi Këshillëdhënës për vlerësimin e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KGJK), Jehona Grantolli, në mbledhjen e së mërkurës tha që për 13 vjet nuk është mbledhur Bordi Këshillëdhënës për vlerësimin e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik.
Fillimisht Arian Gashi, kryetar i Komisionit për analizën e Memorandumit të Bashkëpunimit të datës 22 nëntor 2013, Rregullores që ka dalë nga ky memorandum dhe vlerësimin e performancës së koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, tha se grupi punues ka ardhur në përfundim që Memorandumi dhe Rregulloja nuk përbën pengesë për Koordinatorin Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik dhe nuk është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Grupi punues i rekomandon KPK-së që të fillojë një analizë të plotë të funksionimit dhe efikasitet të rolit të Koordinatorit Kombëtar duke krijuar një bazë për të vlerësuar nëse ky rol nga perspektiva e Këshillit Prokurorial duhet të mbahen në formën e tij aktuale, të ri–konstruktohet apo shfuqizohet”, ka thënë ai.
Sa i përket vlerësimit të performancës, Gashi tha se nuk kanë pasur mandat për të bërë këtë vlerësim.
Anëtari i KPK-së, Veton Shabani, ka thënë se pajtohet që KPK-ja të bëjë një vlerësim të punës 13-vjeçare të këtij mekanizmi dhe nevojën e ekzistimit ose jo të këtij mekanizimi. Sipas tij, pa këtë analizë nuk mund të marrin vendim.
Në anën tjetër, zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, ka pyetur se kur komisioni ka konstatuar se Memorandumi i Bashkëpunimit nuk përbën pengesë për punën e Koordinatorit për luftimin e krimeve ekonomike a kanë pasur ndonjë provë apo një shkresë zyrtare që mund ta prezantojnë para Këshillit se si kanë ardhur në një përfundim të tillë.
Arian Gashi u përgjigj duke thënë se kanë analizuar aktgjykimet e Kushtetueses dhe Supremes lidhur me këtë çështje dhe sipas tij, deri të ky konstatim kanë ardhur pasi ndonëse ka pasur ndryshim të Ligjit në kuadër të funksionimit të Këshillit Prokurorial, Memorandumi në fjalë nuk bie ndesh as me këtë ligj dhe as më Ligjet tjera, si Ligji për Prokurorin e Shtetit, Prokurorinë Speciale e dispozita të reja të Kodit.
Grantolli pyeti sërish nëse kanë ndonjë raport nga Bordi Këshillëdhënës i këtij Memorandumi, i cili bord është dashur të takohet.
“Pyetja ime është kjo, a keni pa ju, a keni dokument që ky bord ka funksionuar, a ka funksionuar, nëse nuk ka funksionuar pse nuk ka funksionuar dhe nëse ka funksionuar si ka funksionuar për me ardhë në një përfundim të tillë dhe me thënë po Memorandumi i Bashkëpunimit ka qenë i mirë”, ka thënë tutje ajo.
Për këtë, Gashi u shpreh se nuk kanë pasur autorizime të kërkojnë informatat për të cilat Grantolli ka ushtruar pyetje, por nëse Këshilli kërkon në të ardhmen, janë të gatshëm.
Tutje, Grantolli tha se të gjithë duhet të pajtohen që ky Bord Këshillëdhënës nuk është mbledhur asnjëherë dhe nuk ka bërë vlerësim të koordinatorit për kaq shumë vite sa ka zgjatur ky mekanizëm.
Kryesuesi i KPK-së, Adrian Hajdari pyeti Gashin pse nuk kanë bërë vlerësim të Koordinatorit pasi kanë pasur autorizimin. Për këtë, Gashi tha se ky autorizim nuk ka qenë specifik dhe nuk kanë mundur ta bëjnë këtë analizë.
ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se nëse ka qenë e paqartë për komisionin se çfarë autorizimesh ka pasur, atëherë është dashur që të dërgojë një shkresë dhe të kërkojë sqarime. /BetimipërDrejtësi