
Ministrat e Mjedisit të Ballkanit Perëndimor miratojnë Deklaratën e Dubrovnikut, duke kaluar nga planet në veprim
Dubrovnik, 14 tetor 2025 – Ministrat e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm nga Ballkani Perëndimor (BP) miratuan sot Deklaratën e Dubrovnikut në Takimin e Dytë Ministror për Agjendën e Gjelbërt për Ballkanin Perëndimor.
Takimi u organizua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në bashkëpunim me Ministrinë Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), nën Partneritetin Rajonal për Klimën, me mbështetjen e Komisionit Europian, Qeverisë së Kroacisë dhe nën Kryesimin e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të Procesit të Berlinit 2025.
Deklarata konfirmon përkushtimin e rajonit për të ndjekur Marrëveshjen e Gjelbërt Europiane. Ajo përfaqëson një moment kyç në ndërtimin e një Ballkani Perëndimor më të pastër, më të qëndrueshëm dhe më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.
Me miratimin e Deklaratës së Dubrovnikut, ministrat e Ballkanit Perëndimor Gjashtë miratuan katër dokumente kryesore rajonale:
Plani i Rishikuar i Veprimit për Agjendën e Gjelbërt 2025–2030, i cili zvogëlon numrin e veprimeve nga 58 në 41 dhe siguron përafrimin e rajonit me Marrëveshjen e Gjelbërt Europiane;
Udhërrëfyesi i Ballkanit Perëndimor Gjashtë për Përshtatjen me Klimën, që përcakton një vizion afatgjatë për qëndrueshmërinë dhe hapat drejt zhvillimit të një Strategjie Rajonale të Përshtatjes deri në vitin 2026;
Plani Rajonal i Veprimit për Parandalimin e Ndotjes nga Plastika, përfshirë dhe Mbetjet Detare, që synon mbrojtjen e mjedisit detar dhe lumor të Ballkanit Perëndimor 6; dhe
Përmbledhja e Planit Strategjik të Biodiversitetit për Ballkanit Perëndimor Gjashtë, që vendos bazat për restaurimin e natyrës dhe përafrimin me Kornizën Globale të Biodiversitetit.
Këto dokumente përcaktojnë objektiva të matshme për rajonin, disa prej të cilave janë:
Deri në vitin 2028, Ballkani Perëndimor Gjashtë duhet të zvogëloj përdorimin e plastikës njëpërdorimëshe më ndotëse me 80%.
Deri në vitin 2030, paketimet plastike duhet të përmbajnë të paktën 30% material të ricikluar dhe 40% e mbetjeve komunale duhet të riciklohen.
Rajoni duhet gjithashtu të mbrojë 30% të tokës dhe zonave detare, me të paktën 10% nën mbrojtje të rreptë.
“Deklarata e Dubrovnikut nuk është thjesht një dokument politik tjetër. Është një angazhim për të vepruar. Ajo e çon rajonin nga planifikimi në veprim të matshëm,” tha Amer Kapetanovië, Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së në hapje.
“Agjenda e Gjelbër është premtimi ynë i përbashkët për ta bërë këtë rajon më të gjelbër, më të drejtë dhe më rezistent – një rajon që zhvillohet duke mbrojtur njerëzit, natyrën dhe vendet e punës,” përfundoi Kapetanovië.
Temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor 6 janë rritur tashmë me më shumë se 2°C – pothuajse dyfishi i mesatares globale. Rajoni përballet me më shumë thatësira, përmbytje dhe zjarre. Në vitin 2024, 11 nga 13 zjarret më të mëdha në Evropë ndodhën në Ballkanin Perëndimor.
Për t’u përshtatur, rajonit do t’i nevojiten rreth 37 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme. Megjithatë, përfitimet e mundshme vjetore deri në mesin e shekullit mund të arrijnë në 74 miliardë dollarë përmes kursimeve, qëndrueshmërisë dhe rritjes së qëndrueshme.
Jan Dusik, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme për Klimën të Komisionit Evropian (DG CLIMA), theksoi rolin e rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor në tranzicionin e gjelbër të Evropës, duke vënë në dukje se rajoni ka vendosur objektiva ambicioze, por të arritshme, dhe duhet të vazhdojë të harmonizohet me Bashkimin Evropian si pjesë e procesit të anëtarësimit. Dusik përshëndeti punën për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke njohur përparimin e bërë dhe shndërrimin e angazhimeve politike në veprime konkrete. Ai falënderoi Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe partnerët e tij për përkushtimin e tyre, duke inkurajuar të gjithë të përfshirët të festojnë arritjet e deritanishme, ndërsa dyfishojnë përpjekjet për punën që i pret përpara.
“Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe stabil forcon qëndrueshmërinë klimatike, sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë e BE-së. Gjermania do të vazhdojë të jetë partneri juaj i besueshëm. Ministria Gjermane e Zhvillimit po përgatit kredi shtesë prej 250 milionë eurosh, të cilat do të angazhohen para fundit të këtij viti,” tha Johann Saathoff, Sekretar Shtetëror Parlamentar në BMZ.
Në hapjen e takimit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kroaci, Javed Patel, theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe përgjegjësia e përbashkët janë thelbi i Agjendës së Gjelbërt, duke shtuar se Deklarata e Dubrovnikut tregon se Ballkani Perëndimor po ecën përpara, së bashku me Europën dhe me një qëllim të përbashkët.
Në fjalën e saj hyrëse, Marija Vuëkovië nënvizoi se Procesi i Berlinit ka dëshmuar të jetë një model i suksesshëm për përparimin e bashkëpunimit rajonal dhe shprehu optimizëm se Agjenda e Gjelbërt për Ballkanin Perëndimor, e njohur si prioritet në këtë kornizë, ofron një mundësi të shkëlqyer për të gjithë partnerët që të punojnë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta.
Gjatë takimit u prezantua edhe përmbledhja e Platformës së Observatorit të Agjendës së Gjelbërt, një mjet i ri digjital që po zhvillohet nga RCC, i cili do të monitorojë progresin dhe do të forcojë transparencën në zbatimin e Agjendës së Gjelbërt në të gjithë rajonin.
Deklarata e Dubrovnikut ndërtohet mbi Deklaratën e Hamburgut (2024) dhe reflekton vendosmërinë e rajonit për të punuar drejt neutralitetit klimatik, mbrojtjes së biodiversitetit, reduktimit të ndotjes dhe përshpejtimit të përafrimit me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës së Procesit të Berlinit.
Të gjitha dokumentet e miratuara në takimin e sotëm do të jenë së shpejti të disponueshme në rcc.int.
Agjenda e Gjelbërt për Ballkanin Perëndimor (AGBP) nisi në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje në vitin 2020. Ajo përafron rajonin me Marrëveshjen e Gjelbërt të BE-së dhe përcakton një rrugë të përbashkët drejt neutralitetit klimatik, rritjes së qëndrueshme dhe mbrojtjes së mjedisit.