
Kushtetuesja mund të pezullojë afatet për formimin e Qeverisë, paralajmëron Bugaqku
Pas dekretimit të Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kanë nisur diskutimet mbi zhvillimet e mundshme.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka paralajmëruar se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë masë të përkohshme, nëse pranon një kërkesë nga Lista Serbe lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit.
Dekretimi i Kurtit është bërë më 11 tetor, pasi Presidentja Osmani, nënshkroi vendimin për mandatimin e tij, duke u bazuar në propozimin zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.
Sipas Kushtetutës, Kurti ka afat 15 ditë nga dita e dekretimit për t’i paraqitur Kuvendit përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
Megjithatë, Bugaqku paralajmëroi se këto afate mund të pezullohen, nëse Gjykata Kushtetuese pranon një kërkesë të mundshme nga Lista Serbe për mënyrën e konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, Lista Serbe mund të përgatisë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se procedura e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, Nenad Rashiq, nuk ka respektuar plotësisht udhëzimet e mëhershme të Gjykatës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Ne jemi edhe para një procesi që nuk e dimë bëhet çështja e konstituimit të Kuvendit. Ka mundësi që nga ajo çfarë ka paralajmëruar grupi parlamentar i Listës Serbe, mbase janë duke e përgatitur një ankesë për GJK dhe eventualisht mund të kërkojnë përsëri masë të përkohshme dhe të bllokohet përsëri gjithçka deri Gjykata të vendos ndryshe…
Edhe presidentja Osmani ka dekretuar mandatarin për formimin e qeverisë dhe GJK në rast se pranon një kërkesë nga një palë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, mund të vendos shumë lehtë masë të përkohshme, që të mos lejojë të rrjedhin afatet për formimin e qeverisë. Dhe të shkaktoj ndonjë pasojë të pariparueshme juridike dhe kushtetuese. Prandaj, gjasat që mund të kemi masë të përkohshme janë të mëdha. Varet krejt nga bazamenti i kërkesës që përgatit, nëse eventualisht përgatitet nga subjekti parlamentar i Listës Serbe.
Në kuptimin profesional mund të ketë bazë të qëndrueshme. Ajo çfarë ka ndodhur në seancës e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, unë mendoj që në kuptimin procedural nuk mendoj që ka shkruar gjithçka sipas asaj që është kërkuar nga vetë GJK dhe çfarë është përcaktuar me rregullore të punës së Kuvendit. Sepse vlerësoj që zoti Rashiq nuk është propozuar nga grupi që duhet. Dhe as nuk ka ardhur në proces të votimi si pasojë e shortit, ai ka ardhur në proces të votimit sipas kërkesës së kryetarit të Kuvendit. Dhe GJK nëse do të ketë lëndë duhet ta sqaroj që kryetari i Kuvendit, në këso suaza të propozojë që kandidatët e mbetur të hidhen në votim apo jo, ka thënë Bugaqku./dukagjini