Lufta e grave me kancerin, vlerësohet e rëndësishme mbështetja nga partnerët

Lufta e grave me kancerin, vlerësohet e rëndësishme mbështetja nga partnerët

Aktuale October 14, 2025 - 14:23

Në kuadër të ditës së dytë të edicionit të pestë të festivalit “Shliroj Cicat” është diskutuar për “Luftë e dyfishtë: Gratë me kancer të gjirit dhe mbështetja nga partnerët”.

Në këtë panel u dëgjuan histori të grave, të cilat u mbështetën, por edhe u braktisën nga bashkëshortët e tyre, në kohën përballeshin me kancerin.

E mbijetuara nga kanceri i gjirit, Fitore Bicaj, foli për përballjen me sfidat pas saj.

“Ka qenë shumë e trishtë, sepse ka munguar përkrahja. Me kohë e kam kuptuar që numër një jam unë. Nuk ka qenë e lehtë, por e mundshme. Ndryshon trupi, ndryshon pamja si femër dhe krijohet ndjenja se nuk ke më vlerë. Është shumë e rëndësishme të marrësh ndihmë, sepse të ndihmon ta duash veten. Partneri është i rëndësishëm, por mbi të gjitha duhet të vendosësh veten në vend të parë”, tha Bicaj.

Psikiatrja dhe e mbijetuara nga kanceri i gjirit, Vera Ora, foli për rëndësinë e mbështetjes që vjen nga bashkëshorti pas diagnostikimit me këtë sëmundje.

Image

“Unë erdha për t’i mbështetur gratë edhe si një e mbijetuar e kancerit të gjirit. Kur u diagnostikova isha e re, me fëmijë të vegjël dhe bashkëshortin që më ka mbështetur. Është shumë e rëndësishme mbështetja e bashkëshortit, sepse ajo përkrahje është domethënëse. Shumë gra, kur diagnostikohen me kancer, bartin shumë barrë jo vetëm fizike, por edhe psikologjike. Partnerët shpesh nuk e dinë si t’i qasen këtij problemi, sepse është një traumë familjare që lë gjurmë edhe te fëmijët. Ne bëhemi nëna luftëtare, sepse duhet të kujdesemi për familjen, shoqërinë dhe punën”, tha Ora.

Bind Skeja, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, tha se mungesa e mbështetjes nga partneri mund të ketë pasoja të rënda për gratë që përballen me kancerin.

“Gratë që kalojnë kancerin janë ndër grupet më të rrezikuara nga vetëvrasja rreth 30 deri në 40 për qind më shumë se popullata e përgjithshme. Partneri është personi që mund të ndihmojë më lehtë përmes mbështetjes që ofron. Braktisja nga partneri shpesh çon në mbyllje emocionale, që mund të përfundojë edhe me pasoja fatale”, tha ai.

Ndërsa Edi Gusia, drejtuese e Agjencisë për Barazi Gjinore, theksoi nevojën për qasje pozitive dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm.

“Çdo vit në Kosovë diagnostikohen mesatarisht rreth 500 raste me kancer të gjirit. Është një sëmundje që trajtohet dhe shërohet, por kërkon vetëdijesim të hershëm. Duhet të edukohemi që nga moshat e reja për nevojat specifike të grave dhe burrave”, tha Gusia.