
Prindërit protestojnë: Duam kthimin e fëmijëve në “Asim Vokshi” për shkak të rrezikut në rrugë
Prindërit e nxënësve të shkollës “Asim Vokshi” në Prishtinë kanë protestuar sot para shkollës “Zenel Hajdini”, me kërkesën për kthimin e fëmijëve të tyre në shkollën “Asim Vokshi”, ku më parë kanë vijuar mësimin.
Ata thonë se vendimi për zhvendosjen e nxënësve është marrë pa konsultim me ta dhe se rruga drejt shkollës së re është tepër e rrezikshme për fëmijët.
Përfaqësuesja e prindërve, Njomza Berisha Poqani, tha se prindërit janë të pakënaqur me transferimin e bërë, pasi sipas saj nuk janë përmbushur kushtet për mësim tërëditor dhe janë anashkaluar gjatë procesit vendimmarrës.
“Kemi bërë një peticion me rreth 200 nënshkrime të prindërve të shkollës ‘Asim Vokshi’, ku kemi shprehur pakënaqësinë tonë për transferin që është bërë të fëmijëve tanë prej shkollës ‘Asim Vokshi’ në shkollën ‘Zenel Hajdini’, me premtimin që është bërë për t’u mbajtur mësimi tërëditor. Nuk janë plotësuar kushtet për mësim tërëditor dhe mësimi tërëditor nuk ka filluar. Ne shqetësimin kryesor kemi shprehur pasigurinë e fëmijëve tanë. Megjithëse sipas decentralizimit të shkollave është dashur neve me na lajmëruar edhe me u konsultuar me ne për të marrë një vendim të përbashkët, kjo gjë nuk ka ndodhur. Nuk na kanë konsultuar askush, as nuk kanë marrë mendimin tonë. Ne jemi dalë me kërkuar kthimin e fëmijëve tanë në shkollën ‘Asim Vokshi’, për arsye të sigurisë që nuk ka siguri,” tha ajo.

Ajo shtoi se rruga që ndajnë fëmijët nga shkolla është e ngarkuar dhe e rrezikshme.
“Fëmijët tanë e kapërcejnë rrugën kryesore, pothuajse magjistrale që është shumë e frekuentuar. Edhe kjo pjesa këndej ka të vinë është rrugë shumë e ngarkuar, nuk është rrugë e thjeshtë e lagjes, por është rrugë ku kalojnë autobusët dhe shumë automjete të mëdha. Për fëmijët prej moshës 5-vjeçare që fillojnë parashkollorin deri në klasën e 12-të është rrugë shumë e rrezikshme. Nuk jemi kundër proceseve që ndodhin nëpër shkolla, nëse nëpër krejt shkollat ka ndodhur mësimi tërëditor le të bëhet edhe për ne, por të bëhet në shkollën tonë për shkaqe të sigurisë,” tha Poqani.
Sipas saj, as sinjalizimi i rrugës nuk do të ishte zgjidhje e duhur për situatën.
“Kemi pasur takim, kanë menduar ata kanë shprehur vullnetin që të bëhet sinjalizimi i rrugëve, por ne nuk mendojmë që ajo është zgjidhje, as përcjellja e fëmijëve për me kalu rrugën kryesore. Ne duam që fëmijët tanë me qenë të sigurt. Pjesa lart që është e Kodrës së Trimave, shkolla është dedikuar për atë pjesë. Atje shkolla jonë i plotëson kushtet, ka pasur numër të vogël të nxënësve dhe pak paralele. Paramendo tash në klasën e 9-të janë dy paralele… pse ajo shkollë nuk i ka plotësuar kushte me qëndru aty, pse me ardhë këtu ku asnjë kusht nuk është plotësuar,” shtoi ajo.
Ajo paralajmëroi se nëse nuk marrin përgjigje, prindërit do të ndjekin rrugë ligjore për të kërkuar sigurinë e fëmijëve të tyre.
“Nëse nuk marrim përgjigje, besojmë që do të shkojmë në mënyrë ligjore të kërkojmë siguri për fëmijët tanë që kemi të drejtë. Kjo çështje është e përfshirë edhe me decentralizimin e shkollave që ne kemi të drejtë si prindër me kërkuar për mirëqenien e fëmijëve tanë, për sigurinë e fëmijëve tanë dhe do të vazhdojmë me instanca më të larta,” tha ajo.
Ndërkohë, prindi tjetër Florim Zejnullahu tha se shqetësimi i tyre kryesor është siguria e fëmijëve për shkak të rrugës së ngarkuar.
“Shqetësimi ynë kryesor është distanca e madhe dhe siguria, pasi që rruga është e ndarë përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë, e cila është rruga më e ngarkuar në Prishtinë. Para disa ditësh ka ndodhë edhe një aksident, ku një fëmijë është shkelur nga vetura dhe të ardhmen e kemi problem dhe shqetësim shumë të madh. Komplet shkolla ‘Asim Vokshi’ është ardhur këtu,” tha ai.
Edhe Arta Isufi tha se vendndodhja e re e shkollës po u shkakton vështirësi familjeve.

“Edhe unë e kam këtë shqetësim sepse duhet me dalë nga puna e me ardhë me marrë fëmijën ose me detyru dikë me ardhë me marrë. E kam nënën pensionere, ajo është shumë e vjetër për me ardhë me e marrë, nuk e di a munden me ardhë deri këtu, duhet me i kalu disa rrugë,” tha ajo. /EO