
IKD: Në zgjedhjet lokale pati dukshëm më pak gjoba për partitë politike sesa në ato të përgjithshme
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se numri i ankesave dhe gjobave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme, tregon se ka qenë një fushatë zgjedhore më e qetë dhe me më pak incidente.
Shala tha se në zgjedhjet lokale janë marrë 33 vendime me gjoba, kurse në zgjedhjet e përgjithshme numri i vendimeve me gjoba ka qenë 146.
“Pra, ka qenë rreth pothuajse 1/4 në raport me zgjedhjet e përgjithshme. Nëse e shohim shumën e gjobave të shqiptuara, në zgjedhjet lokale janë 81 mijë e 200 euro gjoba të shqiptuar. Në zgjedhjet e përgjithshme ka qenë 651 mijë euro”, u shpreh Shala.
Sipas tij, ka një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si partitë politike i janë qasur fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale, në krahasim me ato të përgjithshme.
Ka pasur një fokus pak më të madh në programet politike, pa marrë parasysh cilësinë e programeve politike e cila çështje më pastaj është e diskutueshme, por ka pasur më shumë respekt në raport me kandidatët, mirëpo edhe polarizimet e mëdha zakonisht shprehen më shumë në zgjedhjet e përgjithshme dhe jo në zgjedhjet lokale”, tha Shala.
Ai tha se polarizimet “zbuten” në zgjedhje lokale edhe në kuptim të koalicioneve pas raundit të parë të zgjedhjeve- e që parimisht, sipas tij, diku ka koalicione publike e diku të heshtura.
Hulumtuesi i IKD-së theksoi se ideja e sulmeve në raport me sistemin e drejtësisë është fatkeqësi. Tha se deklarimet dhe fyerjet ndaj gjyqtarëve specifikë me emër e mbiemër janë të papranueshme, të cila nuk duhet të dëgjohen askund e aq më tepër nga përfaqësuesit e një institucioni të pavarur siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /BetimipërDrejtësi