
A pati thyerje të bastioneve?
E para prej komunave që shpalli fitoren ishte Ferizaj.
Festa për edhe një mandat të Agim Aliut, Partia Demokratike e nisi vetëm pak minuta pas mbylljes së kutive të votimit.
E palëkundur, PDK-ja ishte edhe në Skenderaj, për këto zgjedhje lokale, duke ia siguruar Sami Lushtakut udhëheqësinë e komunës, si dhe në Han të Elezit me Mehmet Ballazhin.
Në tri komuna rikonfirmim të besimit të qytetarëve, pati edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Në Kamenicë me Kadri Rrahimaj, Podujevë me Shpejtim Bulliqin dhe në Shtime me Qemajl Aliun.
Mandate të reja, Lidhja Demokratike siguroi në dy komuna, Lipjan me Imri Ahmetin dhe Istog me Ilir Feratin.
Me nga një fitore, dolën nga zgjedhjet lokale të 2025 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
AAK me Bashkim Ramosaj në Deçan, kurse Nisma me Ekrem Kastratin në Malishevë.
Kurse Lista Serbe, fitoi nëntë komuna me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillugë dhe Partesh.
Me gjithë këto rezultate, vlerësohet se gara ka qenë më e hapur se zakonisht.
“Në këtë garë ka pasur një garë do të thoja më të hapur se zakonisht. Përjashtim bën komuna e Skenderaj që ka vazhduar Partia Demokratike të mbetet e para, po ashtu në Ferizaj. Dhe në ato që konsiderohen si bastionet e mëdha të partive politike që janë një hambar i madh i votave, nuk janë më. Ose së paku, nuk janë për këtë fazë dhe do të përcaktohen përfundimisht në periudhën e balotazhit”, ka thënë Imeri.
Shumica e partive, nuk arritën të ruajnë votat e qytetarëve në ato komuna që konsideroheshin si bastione të tyre.
Fitore në rundin e parë, nuk siguroi Lidhja Demokratike në Pejë, Fushë Kosovë, Viti e Obliq, që konsideroheshin si bastione.
Bastionin PDK e humbi në Drenas, ku fitoi Ramiz Lladrovci me listën e tij.
Fitore në rundin e parë PDK nuk arriti as në Kaçanik, që e ka bastion të vetin për më shumë se një dekadë.
Mandat të ri qysh të dielën, nuk siguruan as bastionet e AAK-së, Gjakova me Ardian Gjinin e Rahoveci me Smajl Latifin./teve1