
KQZ: Në Zgjedhje Lokale votuesi i një komune s’mund të votojë në komunën tjetër as si i rregullt dhe as me kusht
Votuesit që nuk do të mund të jenë në komunën e tyre, nuk do të kenë mundësi të votojnë në komunën ku mund të ndodhen në ditën e zgjedhjeve më 12 tetor.
Madje, kjo nuk do të jetë e mundur as duke votuar me kusht, siç ishte mundësia në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se ky ndryshim është pasi në zgjedhjet për Kuvend, Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, ndërkaq në Zgjedhje Lokale secila komunë është një zonë zgjedhore.
“Për dallim nga zgjedhjet për Kuvend, ku e gjithë Republika e Kosovës është një zonë e vetme zgjedhore, në Zgjedhjet Lokale çdo komunë përbën një zonë të veçantë zgjedhore. Në vendvotimet e secilës komunë, KQZ dërgon fletëvotime vetëm për atë komunë. Pra, një votues mund të votojë vetëm në komunën ku është i regjistruar dhe jo në ndonjë komunë tjetër”, sqaroi Elezi.
Sipas tij, një votues i një komune të caktuar, nuk mund të votojë as me kusht në komunën tjetër.
“Për arsye se një votues i regjistruar në një komunë nuk mund të votojë në komunën tjetër, as votimi me kusht nuk është i mundur nga një komunë në tjetrën. Votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi dhe mundësohet në qendrën e veçantë për votim me kusht e cila është caktuar nga KQZ. Më 12 tetor, në çdo komunë do të hapet nga një Qendër Votimi për mundësimin e votimit me kusht”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime prej të cilave 910 Qendra të Votimit me 2,571 vendvotime të caktuara për votimin e rregullt, ndërkaq 38 Qendra të Votimit me gjithsej 54 vendvotime për votimin me kusht.