
Burgim i përjetshëm për pesë të dënuar në Kosovë, ShKK përmirëson kushtet dhe sigurinë në burgje
Pesë persona aktualisht vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm në burgjet e Kosovës, këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani.
Sipas tij, sistemi korrektues ka shënuar përparim të madh vitet e fundit, si në përmirësimin e infrastrukturës, ashtu edhe në menaxhimin dhe sigurinë brenda burgjeve. Ai theksoi se aktualisht nëpër burgjet e Kosovës janë rreth 1 mijë e 700 deri 1 mijë e 800 persona, prej tyre 1,100 të dënuar dhe 600-700 në paraburgim.
“Me vite ka që në qendrat tona korrektuese kemi 1 mijë e 700 deri 1 mijë e 800 të burgosur, 1 mijë e 100 janë të dënuar dhe 600-700 janë të paraburgosur. Sa i përket infrastrukturës, ka vite që kemi filluar në përmirësimin dhe ndryshimin e komplet infrastrukturës, është ndërtuar Burgu i Sigurisë së Lartë, Qendra e Paraburgimit në Gjilan, Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, jemi në fazën e ndërtimit të Qendrës Korrektuese për gratë në Lipjan, të Qendrës Korrektuese në Prizren dhe po ashtu janë themeluar institucione për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, kështu që po kompletohet infrastruktura dhe jemi shumë më mirë se sa shtetet e rajonit dhe jemi konkurrues në shumë fusha me shtetet më të zhvilluara të Evropës. Vitet e fundit kemi suksese të jashtëzakonshme në raport me parandalimin e kontrabandës brenda. Siç e dini, në baza ditore dhe javore e njoftojmë opinionin për këto raste. Po ashtu kemi ndërmarrë një reformë në programet rehabilituese dhe kemi ndryshuar shifrat për të mirë”, ka deklaruar Dibrani.
Sipas Dibranit, është shtuar siguria dhe është reduktuar kontrabanda, ndërsa mbi 50% e të burgosurve që aplikojnë për lirim me kusht, përfitojnë për shkak të sjelljes së mirë.
“Të gjitha të drejtat që ka një qytetar i rëndomtë, një qytetar i lirë, i ka edhe një i burgosur brenda burgut, përjashto pjesën ku ai ka humbur lirinë, për shkak të një vepre penale. Një i burgosur sipas ligjit gëzon të drejtën e shfrytëzimit të vikendit, të tipit të avancuar, lirimit të mëhershëm, lirimit me kusht, por natyrisht në rast se i plotëson disa kritere. Ai duhet të ketë sjellje të mira, ta respektojë rendin shtëpiak, njoftohet me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që i ka dhe, varësisht detyrimeve dhe sjelljeve që ka, ai mund të jetë përfitues. Për shembull, ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale i mundëson të burgosurit vikendin me përfundimin e gjysmës së dënimit, në rast se ky i burgosur ka të kaluar të mirë dhe ka sjellje të mirë. Një person mund të lirohet me kusht nëse është i dënuar deri në pesë vite – ai mund të lirohet me 1/2, sigurisht po flasim për sjellje të mira brenda burgut. I burgosuri që është i dënuar me mbi 5 vite, ai duhet të kalojë 2/3 e dënimit që të jetë aplikues për lirim me kusht. Kohëve të fundit, mbi 50 për qind të burgosurve të cilët aplikojnë për lirim me kusht përfitojnë lirimin me kusht si rezultat i sjelljeve të mira. Ka beneficione të tjera – të burgosurit kanë të drejtën e angazhimit me aktivitete të lira. Në burgjet tona, përveç programeve rehabilituese, organizohen edhe trajtime profesionale të ndryshme, aktivitete sportive, kulturore e të tjera”, theksoi ai.
Ai konfirmoi gjithashtu se aktualisht pesë persona vuajnë dënime të përjetshme, ndërsa burgjet menaxhohen sipas nivelit të rrezikshmërisë së të dënuarve.
“Ka dënim të përjetshëm. Sot, derisa po flasim, mund të jenë pesë raste me dënim të përjetshëm, ndërsa dënime të shkurtra ka edhe me ditë, kur të burgosurit nuk paguajnë gjoba dhe natyrisht pas një periudhe ato shndërrohen në burg. Ka nga të gjitha – prej disa ditë burgim deri në burgim të përjetshëm. E dini se tashmë Burgu i Sigurisë së Lartë është burg ku vendosen të burgosurit të cilët janë të dënuar mbi 15 vite burg, Burgu i Dubravës prej 1-15 vite burgim. Po flasim për një vit, sepse ka të dënuar që janë të dënuar me një vit burgim, mirëpo kanë shumë vepra të hapura dhe natyrisht nuk mund të kalojnë në tipin e hapur”, shtoi ai.
Në fund, Dibrani theksoi se nuk ka pasur raste arratisjeje me vite, përveç një rasti të vetëm në Mitrovicë, për të cilin janë duke u zhvilluar hetime.
“Me vite nuk kemi të arratisur, rasti i vetëm është në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, rast për të cilin janë duke u zhvilluar hetime si nga prokuroria, inspektorati, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues”, përfundoi drejtori i ShKK-së.