
Qeveria ndanë mbi 300 mijë euro për libra dhe ndërkombëtarizmin e Luginës
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 271-të, në format elektronik, gjatë së cilës ka miratuar disa vendime me rëndësi për arsimin, financat dhe nderimin e figurave të shquara të vendit.
Në kuadër të mbledhjes, Qeveria ka ndarë mbi 304 mijë euro, në bazë të Memorandumit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, për pajisjen me 35,448 tekste shkollore të 3,650 nxënësve shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Po ashtu, sipas njoftmit të qeverisë, ky fond do të përdoret edhe për avokimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore, sipas tabelave të përcaktuara në aneksin A (kursimet) dhe aneksin B (ndarjet).
Në shenjë nderimi dhe respekti për jetën dhe veprën e Heroit Afrim Bunjaku, zyrtarit policor të rënë në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë, Qeveria ka ndarë 50 mijë euro për familjen Bunjaku, për ndërtimin e një hapësire pritjeje që do t’u shërbejë qytetarëve.
Gjithashtu, Qeveria ka ndarë 200 mijë euro për renovimin e objektit në Mitrovicën e Veriut, i cili do të shfrytëzohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht nga Administrata Tatimore e Kosovës. /rtk