Zgjedhjet Lokale 2025, Policia e Kosovës angazhohet për siguri dhe transparencë
Foto: Policia e Kosovës

Zgjedhjet Lokale 2025, Policia e Kosovës angazhohet për siguri dhe transparencë

Aktuale October 10, 2025 - 16:36

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt takim zyrtar lidhur meplanifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale2025”, të cilat do të mbahen me datën 12 tetor 2025.

Në këtë takim kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm ë PK-së kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja, zyra e BE-së në Kosovë etj.

Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

"Ndër të tjera pjesë e diskutimit ishte krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së votimit të lirë për të gjithë qytetarët, si edhe inicimi e procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj", thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, thuhet se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.