Lluka tregon në gjykatë mesazhet e Murselit pas vrasjes së Ademajt

Lluka tregon në gjykatë mesazhet e Murselit pas vrasjes së Ademajt

Aktuale October 10, 2025 - 15:11

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës e Kushtrim Kokolla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Valon Lluka po dëshmon në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës e Kushtrim Kokolla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Lluka ka qenë personi i parë të cilin e kishte kontaktuar përmes telefonit Naim Murseli, pasi kishte ndodhur vrasja e Liridona Ademajt.

Lluka ka treguar se Murseli i kishte dërguar edhe mesazhe ku i kërkonte t'ia hapte telefonin urgjent.

"Herën e parë më ka thirr me një numër ku më ka dërguar edhe mesazh. Unë nuk ju kam larguar sepse isha te komshijtë. Me ka qu mesazh në 08:32 min me mesazhin urgjent qele, qele urgjent. Naimi. Pastaj ka fillu të me thërras me numër tjetër. Janë dy numra. Numri i parë qe e ceka dhe numri i dytë me numrat e fundit 907. Edhe këtu me ka shkru mesazhe. "Qele, qele, qele". Unë kam reaguar në numrin e fundit me 907. I kam shkruar me fal cili Naim, jam me musafir. Prapë më ka shkruar Naimi. Ma ka kthy "Murselu, urgjent. O Valon na kanë vra". Dhe në fund "thirr". Unë e kam bërë screen këtë mesazh dhe ja kam dërgu Naimit ne nr e tij në whatsup për me e verifiku a është Naimi por e kam parë që nuk po i shkon mesazhi. E pastaj e kam thirrur në këtë numër", ka deklaruar ai.

Lluka tha se pastaj është nisur për te vendi i ngjarjes e në stacion policor.

"Unë menjëherë kam marrë makinën e komshiut, bashkë me të kam ec në drejtim të zonës ku ka ndodh rasti. E kam thirr në këtë numër dhe mu ka lajmëruar një djalë i cili ka thënë se Naimi ka shkuar në polici. Ne jemi afruar te vendi i ngjarjes dhe kanë qenë policia. Kam pyetur se a ka vdek dikush dhe nuk kanë treguar dhe jam larguar. Pastaj kam pranuar një thirrje telefonike prej një polici që më ka thënë se Naimi është mirë dhe fëmijët janë mirë, me porosi të Naimit. Pastaj e kam dërguar komshiun në shtëpi dhe kam marrë makinën time dhe jam nisur në drejtim të stacionit policor. Në ndërkohë më ka thirr edhe një polic tjetër dhe më ka thënë a mundesh me ardh në stacion se duam t'ia komunikojmë Naimit se ka vdek Liridona, dhe ta ketë dikë afër. Unë kam shkuar aty por ata veçse ia kishin komunikuar lajmin. E mbaj mend që me një zyre të vogël kishte qenë Naimi dhe e ngushëllova", shtoi ai.