
Kuvendi kalon te votimi me short pas dështimit të 9 deputetëve serbë për nënkryetar
Kuvendi i Kosovës ka kaluar te votimi me short për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb, pas dështimit të 9 propozimeve nga Lista Serbe.
Kryetari i Kuvendit Dimal Basha tha se pasi Lista Serbe ka propozuar nga tri herë kandidatët e saj dhe ka refuzuar të propozojë kandidatin e dhjetë, që është Nenad Rashiq, sipas rregullores duhet të kalohet te votimi me short, transmeton Zeri.info.
11:46 - Dështojnë të gjitha propozimet e Listës Serbe për postin e nënkryetarit
Deputeti Igor Simiq, njëjtë si të gjithë deputetët e tjerë të Listës Serbe, dështoi të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar.
Kështu, tani nuk ka mbetur asnjë deputet nga Lista Serbe që mund të propozohet për ta marrë postin e nënkryetarit.
I vetmi deputetet i mbetur nga komuniteti serb është Nenad Rashiq, i cili megjithatë vjen nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
11:42 - As propozimi i tetë Sërxhan Popoviq nuk merr vota për nënkryetar
Ka dështuar edhe propozimi i tetë i Listës Serbe për t’u zgjedhur nënkryetar të Kuvendit.
Sërxhan Popoviq ka marrë vetëm 9 vota për, aq sa kandidatët e tjerë të partisë së tij, raporton Zëri.
11:26 - Dështon edhe propozimi i pestë i Listës Serbe
Milana Nikolliq, nga Lista Serbe, deputetja e pestë e propozuar nga kjo parti për postin e nënkryetares, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për ta marrë atë post.
Në të tria tentimet ajo mori vota për vetëm nga bashkëpartiakët e saj.
Kështu, tani kanë mbetur vetëm edhe katër deputetë të tjerë nga Lista Serbe që mund të kandidohen për postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
11:21 - S’ka votë as për Verika Qenariqin

Verika Qenariq është kandidatja e katërt e Listës Serbe që dështon t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në tri votime të ndara, ajo i mori vetëm nëntë votat e partisë.
11:08 - Dështon edhe propozimi i tretë i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit
Pas Slavko Simiqit dhe Zlatan Elekut, ka dështuar edhe propozimi i tretë i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, e cila ishte deputetja Liljana Stefanoviq.
Ashtu si kandidatët e tjerë, për Stefanoviqin kanë votuar vetëm 9 deputetët e partisë së saj, ndërsa pjesa tjetër 49 ishin kundër dhe 38 abstenuan, raporton Zeri.info.
11:02 - As Zlatan Elek nuk i merr votat e nevojshme
Kandidati i dytë i propozuar nga Lista Serbe, Zlatan Elek, nuk i ka marrë votat e nevojshme për t’u emëruar nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Sikurse bashkëpartiaku i tij Simiq, Eleku mori vetëm 9 votat e partisë së tij, ndërsa pjesa tjetër ishin kundër dhe abstenime.
10:57 - Dështon tri herë zgjedhja e Simiqit, Lista Serbe tani propozon Zlatan Elekun

Slavko Simiq nuk ka arritur të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit edhe pas tri votimeve.
Si rrjedhojë, Lista Serbe ka propozuar një kandidat tjetër, e që është kryetari i partisë, Zlatan Elek, raporton Zeri.info.
Simiqi për tri herë radhazi mori vetëm 9 vota për.
10:50 - Lista Serbe propozon Slavko Simiqin për nënkryetar, merr veç 9 vota për
Lista Serbe ka propozuar Slavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit, por i njëjti s’ka marrë vota të mjaftueshme për këtë pozitë.
Pro Simiqit votuan vetëm 9 deputetët e partisë së tij, 54 ishin kundër dhe 42 abstenime.
Pas dështimit të parë, Lista Serbe e ka propozuar sërish Simiqin për nënkryetar.
10:41 - Kuvendi nis seancën, në përpjekje për ta zgjedhur nënkryetarin serb

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën, në një përpjekje tjetër për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.
Në seancë janë të pranishëm 105 deputetë.