
AAK-ja thotë se s’do ta votojë asnjë nënkryetar të Kuvendit sot
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka bërë të ditur qëndrimin e partisë së saj në lidhje me seancën e sotme, ku pritet të votohet nënkryetari i Kuvendit nga pakicat serbe.
Kadrijaj bëri të ditur se s’do të votojnë asnjë emër për nënkryetar sot, ndërsa i kanë bërë thirrje LVV-së të zhbllokojë situatën, duke e fajësuar për bllokimin e institucioneve, transmeton Zeri.info.
“Ne e kemi ditë që kemi me ardhur në këtë situatë të bllokadës, sepse qëllimi i LVV-së ka qenë të mos konstituohet Kuvendi dhe ju e dini se nuk e kanë bërë minimumin e përpjekjeve për sigurimin e votave për kryeparlamentar”.
“Nuk do të votojmë asnjë, ata që e kanë bllokuar këtë situatë, le ta zhbllokojnë. Ne kemi dashur t’i japim epilog, kemi ardhur deri këtu, asnjëherë zgjedhja e nënkryetarëve nuk është politizuar, sepse Rregullorja e Kuvendit përcakton se kujt i takojnë nënkryetarët”, tha Kadrijaj para mediave, derisa po hynte në Kuvend. /Zëri