
BE-ja inkurajon Kosovën të përshpejtojë zbatimin e reformave në administratë dhe financa publike
Në Prishtinë u mbajt sot takimi i trembëdhjetë i Grupit të Posaçëm BE–Kosovë për Reformën e Administratës Publike (RAP), i bashkëkryesuar nga Bardhyl Dobra, zëvendësministër në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, dhe Julien Crampes, zëvendësshef i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian për Serbinë.
Takimi mblodhi përfaqësues të Komisionit Evropian dhe institucioneve të Kosovës për të shqyrtuar përparimin e bërë në krijimin e një shërbimi civil profesional, me llogaridhënie më të madhe dhe siguri ligjore më të lartë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Në përputhje me rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2024, BE-ja inkurajoi Kosovën të përshpejtojë zbatimin e Strategjive për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike, duke përfshirë konsultime të rregullta me publikun dhe shoqërinë civile.
Komisioni Evropian vuri në dukje rëndësinë e zbatimit të reformave ligjore për shërbimin publik, përfshirë krijimin e një sistemi të centralizuar të rekrutimit, zvogëlimin e numrit të ushtruesve të detyrave menaxheriale dhe finalizimin e reformës së pagave.
Po ashtu, u mirëprit progresi në agjendën digjitale dhe në strategjinë për qeverisje elektronike, që synojnë përmirësimin e shërbimeve të orientuara ndaj qytetarëve dhe reduktimin e barrës administrative.
Gjatë takimit, Kosova prezantoi Raportin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore për vitin 2024, i publikuar për herë të parë në shtator 2025. Sipas raportit, në vitin 2024 është shënuar rritje e rekrutimit të grave dhe të rinjve, si dhe interes më i madh për aplikime në pozita publike.
Në përmbyllje, palët ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit teknik për të siguruar që reformat të zbatohen plotësisht dhe në kohë.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) përbën kornizën themelore të dialogut mes BE-së dhe Kosovës për çështjet teknike dhe politike që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Takimet e rregullta të organeve të MSA-së monitorojnë zbatimin e reformave dhe përcaktojnë mënyrat se si BE-ja mund të ofrojë mbështetje.
Në këtë kuadër, Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike është një nga dy grupet e veçanta, përkrah atij për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /telegrafi