
Lulzim Peci: Arrestimi i Fatmir Shehollit ngre shumë pikëpyetje, pse pikërisht tani?
Drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci ka reaguar pas arrestimit të Fatmir Shehollit për dyshime për spiunazh, duke ngritur një sërë pyetjesh mbi kohën dhe arsyet e këtij veprimi nga autoritetet.
Peci kujtoi se Sheholli ka punuar për vite me radhë për SDB-në (Shërbimin e Sigurimit Shtetëror) të Serbisë dhe për regjimin e Millosheviqit, ndërkohë që publikisht ka deklaruar se ka bashkëpunuar me LDK-në dhe UÇK-në — deklarime që, sipas Pecit, nuk janë mohuar ndonjëherë nga përfaqësues të këtyre subjekteve.
“Si ish-pjesëtar i SDB-së, ai ka qenë i dyshuar publik për më shumë se tri dekada. Këtu shtrohet pyetja pse pikërisht tani u bë arrestimi?”, shkroi Peci.
Ai theksoi se Prokuroria Speciale duhet të sqarojë dy çështje kyçe: nëse Sheholli ka qenë pjesë e BIA-s (shërbimi i inteligjencës serbe) që nga paslufta – çka do të tregonte një dështim të madh të sistemit të sigurisë në Kosovë – apo nëse është rekrutuar rishtazi, që do të përbënte një sukses të shërbimeve vendore.
Peci shtoi se mbetet thelbësore të dihet nëse Sheholli ka pasur qasje në informacione të klasifikuara dhe nëse i ka përcjellë ato te BIA.
“Nëse kemi të bëjmë me informacione të klasifikuara, më i rrezikshëm për shtetin është dhënësi brenda sistemit sesa marrësi jashtë tij,” theksoi ai, duke paralajmëruar për rrezikun e të ashtuquajturve “moles” – spiunë të infiltruar brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës.