
Rashiqi njofton se nuk kandidon më për Nënkryetar të Kuvendit: Nuk shoh më hapësirë, gjykata ishte e prerë
Nenad Rashiq, deputet mëvete nga komuniteti serb, njoftoi se pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “nuk shoh më hapësirë” për vetëkandidim për Nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Rashiq, tha se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ishte “i prerë” dhe se Lista Serbe e ka “ekskluzivitetin” e propozimit të Nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
“Sot e lexova dhe sa e shoh unë dhe të them drejtën nuk jam ekspert për të zbërthyer vendimin e Kushtetueses. Sa e shoh unë gjykata ia ka dhënë të drejtën ekslusive Listës Serbe dhe në këto aspekte, me aq sa e kuptova mirë stemi i votimit në short nuk ka nevojë që të zbatohet më sepse tashmë është e mundshme disa herë brenda 12 ditësh që të votohet dhe nëse e kuptova mirë, unë nuk shoh hapësirë për kandidimin tim. Unë jam besimtar i ligjeve dhe institucioneve, nuk shoh mundësi që unë të jem kandidat dhe nëse gjykata është ashtu e prerë unë nuk po shoh vend për kandidimin tim,” tha Rashiq për lajmi.net.