Deputeti i PDK-së i thotë “jo” qeverisë së përkohshme: Zgjedhjet e reja, zgjidhja më e drejtë për Kosovën
Foto: Laura Hasani

Deputeti i PDK-së i thotë “jo” qeverisë së përkohshme: Zgjedhjet e reja, zgjidhja më e drejtë për Kosovën

Aktuale October 09, 2025 - 09:31

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në një deklaratë ka bërë thirrje për zgjedhje të reja parlamentare, duke thënë se ato janë zgjidhja më e drejtë për të kapërcyer ngërçin politik në vend.

Para mbajtjes së zgjedhjeve, ajo propozon krijimin e një qeverie të përkohshme me mandat të kufizuar vetëm në legjislacion, për të miratuar projektbuxhetin e vitit 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare me Bashkimin Evropian.

Kusari-Lila e paraqet këtë qeveri të përkohshme si një hap të domosdoshëm për të garantuar stabilitet.

Lidhur me këtë propozim të Kusari-Lilës, deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka vlerësuar se ideja për krijimin e një qeverie të përkohshme nuk është zgjidhja që i nevojitet Kosovës.

Sipas tij, vendit i duhet një zgjidhje afatgjatë dhe mandatore, pasi kjo sipas tij, bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme, ndërsa situata aktuale është pasojë e një bllokade të qëllimshme politike.

“Unë mendoj që çdo përpjekje e përkohshme nuk është zgjidhje që i duhet momentalisht Kosovës. Mendoj që Kosovës i duhet një zgjidhje afatgjate e mandatore për arsye se këto zgjidhjet e përkohshme janë kur prishen koalicionet ose diçka e jashtëzakonshme kur ndodh”, tha Nura për FrontOnline.

Nura thotë se ndonëse mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte një proces i lodhshëm si për qytetarët ashtu edhe për klasën politike, kjo mbetet alternativa më e qëndrueshme.

Ai shton se zgjedhjet do të ofronin një zgjidhje të qartë dhe afatgjatë, ndryshe nga një qeveri e përkohshme .

“Mendoj se prapëseprapë prej dy të këqijave më e mirë do ishte shkuarja në zgjedhje të reja sesa formimi i qeverisë së përkohshme edhe pse do ë ishte e lodhshme si për qytetarët ashtu edhe për ne sepse 3 palë zgjedhje do të bëheshin një pas një, por mendoj se do të ishte zgjidhje më e duhur e afatgjate”, tha Nura.