Haziri: Mjerë ata politikanë që Gjykata Kushtetuese ua sjell vendimet
Foto: Laura Hasani

Haziri: Mjerë ata politikanë që Gjykata Kushtetuese ua sjell vendimet

Aktuale October 09, 2025 - 08:34

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se deputetët nga kjo parti do të veprojnë ashtu siç parashihet me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka kritikuar edhe Vetëvendosjen, duke thënë se mosguximi dhe keqinterpretimet kanë bërë që të ketë bllokadë institucionale.

“Tash vendimi është zbardhur dhe kanë kërkuar që partia në shumicë të dalë me propozim dhe Kuvendi të reagojë. Nuk ka të bëjë me vullnet politik, kjo është jo vetëm një vendim i gjykatës, por edhe fryma kushtetuese ka qenë e ditur dhe ne natyrisht që do të procedojmë sipas vendimit të Gjykatës”, ka deklaruar Haziri.

Deputeti Haziri është treguar i ashpër me deputetët e partisë së parë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Partia e parë, vetëm partia e parë i ka fajet për mosformim të qeverisë. Prej 9 shkurtit deri në fund të shtatorit duhet me prit vendime të gjykatës. Mjerë ata politikanë që Gjykata Kushtetuese ua sjell vendimet sepse për mosbashkëpunim, për mosguxim, për keqinterpretim apo për interpretim ndryshe të Kushtetutës, duhet me ardh në këtë gjendje. Kosova për gati një vit ka mbetur me vullnetin politik të një partie dhe të një individi. Fatkeqësisht, Gjykata po duhet me sjell vendime dhe sqarime për politikanët dhe për partitë që dalin të parat në zgjedhje”, ka thënë Haziri për Ekonominë Online.

Ndonëse përmendej opsioni për zgjedhje, megjithatë Haziri këtë nuk e sheh si një zgjidhje.

“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Një proces i ri zgjedhor e lodhë qytetarin dhe është kosto financiare që Kosova nuk e ka. Është koha të gjendet rruga më e mirë dhe më e duhur për t’i zbatuar zgjedhjet e 9 shkurtit,” tha ai, duke shtuar se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë qeverinë dhe presidentin, atëherë automatikisht vendi shkon në zgjedhje.

Në fund, Haziri foli edhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale, duke theksuar se partia është në rikthim në shumë komuna të vendit.

“Jemi partia e parë me votë politike në zgjedhjet lokale në Gjilan dhe në Republikën e Kosovës. Kemi peshe të madhe në Prishtinë dhe komuna të tjera. Këto zgjedhje lokale mund ta kthejnë LDK-në dhe e forcojnë si parti të parë”, tha ai.

Ai u shpreh optimist për fitore të LDK-së në disa komuna pa balotazh. “Po punohet pa balotazh që ta marrim Prishtinën. Lipjani, Peja, Obiliqi, Fushë-Kosova, jemi disa zona pa balotazh, pse jo edhe Gjilani e Podujeva. Po shihet që vullneti qytetar po ndryshon”, përfundoi Haziri.

Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar të mërkurën (08.10.2025) aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, votimi “në pako” për nënkryetarët e Kuvendit nuk është i imponueshëm, por mund të realizohet me dakordim ndërmjet grupeve parlamentare.

As në këtë aktgjykim, Kushtetuesja nuk e ka bërë të qartë se çfarë ndodh nëse nënkryetari serb nuk zgjidhet me votim të hapur ose me short.

Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.