
Dreshaj: Kurti të reflektojë, ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja
Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka thënë se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, partia në pushtet duhet të reflektojë ose vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Ai ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë dhe si parti do ta respektojnë.
Megjithatë ai ka thënë se kriza politike është rezultat i mungesës së numrave për formimin e institucioneve nga partia fituese dhe jo e aspektit ligjor apo kushtetues.
“Lojëra për shkak të mungesë së numrave nga partia që ka fitua zgjedhjet. Sot e tutje do ta shohim, ose Albin Kurti dhe partia e tij do të reflektojnë me bashkëpunimin e një subjekti politik shqiptar, ose vendi do të shkojë në zgjedhje. Unë kam parapa që vendi do të shkojë në zgjedhje dhe mendoj se kjo është më e mira për vendi”, ka thënë Dreshaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Madje, ai është shprehur se vendi do të ketë zgjedhje të reja parlamentare para vitit të ri.
Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e publikuar të mërkurën ka theksuar se Kuvendi nuk është i konstituuar dhe se deputetët kanë afat 12 ditë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, duke konstatuar se Kuvendi nuk është konstituuar.
Gjykata ka vlerësuar se votimi ndara i nënkryetarëve nga komunitet nuk përbënë shkelje të Kushtetutës, por ka theksuar se duhet të zgjidhet edhe nënkryetari nga komuniteti serb.
Në aktgjykim, është përjashtuar mundësia e vetos për Listës Serbe sa i përket pozitës së nënkryetarit, duke theksuar se Kuvendi mund të funksionojë edhe pa një nënkryetar të zgjedhur, nëse partitë që e kanë këtë të drejtë refuzojnë të paraqesin kandidaturat për këtë pozitë.
Dreshaj ka vlerësuar si ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese është i duhuri.
“Është e mirë e madhe për shkak se nuk guxon askush ta ketë primatin e të drejtës së vetos e aq më pak pakicat që ta bllokojnë shumicën. Unë mendoj që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është shumë i drejtë, nuk ka krijuar precedent dhe ka vazhduar që ta implementojë legjislacionin kushtetues në vend”, është shprehur Dreshaj.