
Remzi Ejupi: Malta dhe Kosova ndajnë vlera dhe vizion të përbashkët
Në Prishtinë ditë më parë u mbajt një pritje solemne me rastin e 61-vjetorit të pavarësisë së Maltës, ngjarje e organizuar nga Konsullata e Nderit e Maltës në Kosovë.
Në cilësinë e Konsullit të Nderit, Remzi Ejupi priti të ftuarit në një mbrëmje që shënoi edhe një herë miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve.
Në fjalën e tij, Ejupi theksoi se ky përvjetor simbolizon forcën, përkushtimin dhe zhvillimin e një shteti që ndan vlera të përbashkëta me popullin e Kosovës. Ai shtoi se raportet midis Maltës dhe Kosovës janë ndërtuar mbi respekt të ndërsjellë dhe vullnet për bashkëpunim të qëndrueshëm në fusha të ndryshme.
Ejupi falënderoi ambasadoren e Maltës në Kosovë, Sh.S. Juliana Scerri Ferrante, për përkushtimin e saj në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në diplomaci, por edhe në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe turistik.

“Malta dhe Kosova ndajnë një vizion të përbashkët për bashkëpunim të qëndrueshëm dhe zhvillim të ndërsjellë, duke ndërtuar ura miqësie që lidhin Mesdheun me Ballkanin”, u shpreh Ejupi.
Në kuadër të ngjarjes u prezantuan veprat artistike të nxënësve të shkollave “Xhevdet Doda” dhe “Xhemajl Mustafa”, të cilat përmes artit sollën bukurinë e Maltës dhe frymën e bashkëpunimit ndërkulturor.
Mbrëmja u pasurua nga interpretimi i korit “Faik Konica”, i cili interpretoi një këngë në gjuhën malteze – një gjest simbolik që thelloi lidhjet kulturore ndërmjet dy popujve.
Ngjarja përfundoi në një atmosferë miqësore që reflektonte mesazhin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet Maltës dhe Kosovës — një marrëdhënie që vazhdon të forcohet përmes diplomacisë, kulturës dhe respektit të ndërsjellë. /Zëri