
IKD-ja kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vendimet e fundit të Qeverisë në detyrë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimeve të marra më 7 tetor nga Qeveria në detyrë, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale. IKD i cilëson këto vendime që përfshijnë ndarje fondesh për studentë dhe familje në nevojë me vlerë mbi 30 milionë euro si të kundërligjshme dhe me ndikim elektoral.
“Këtu bën pjesë shtimi i një mase në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Bursa e Mobilitetit për Studentë, masë e cila prek vlerën 20 milion euro. Në të njëjtën mbledhje është marrë po ashtu vendimi për ndarjen e një shumë prej 100 eurosh, njëherësh, për studentët, kosto financiare e të cilit vendim përllogaritet të jetë 6 milion euro si dhe ka miratuar ndarjen e 1 milion eurove për kuponë ushqimi për familjet në nevojë. Një tjetër vendim ka të bëjë me shqyrtimin e kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga projekti “Ndërtimi i kyçjes së Vitisë në Autoudhën ‘Arbër Xhaferi’ (Prishtinë–Hani i Elezit)”, me vlerë rreth 3 milionë euro si dhe është miratuar Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike”.
Sipas IKD-së, pjesëmarrja e deputetëve në vendimmarrje si anëtarë të qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë. Po ashtu, këto vendime tejkalojnë kompetencat e një qeverie në detyrë dhe mund të përbëjnë vepër penale sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.
“Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë ndalojnë që një person të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i qeverisë. Nëse një ministër zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i ministrit para certifikimit të zgjedhjeve. Qeveria në detyrë mund të vazhdojë punën, por nuk mund të përbëhet nga persona që janë edhe deputetë. Këtë e ka konfirmuar Gjykata Supreme, e cila shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave sepse ishte nënshkruar nga një ministër që në atë kohë ishte edhe deputet. Në rastin e djeshëm, duke vepruar si persona zyrtar dhe duke shfrytëzuar kundërligjshëm detyrën e tyre zyrtare, deputeti Kurti dhe disa nga deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës, duke vepruar në cilësinë e kryeministrit në detyrë dhe ministrave në detyrë, miratuan dhe nxorën vendime, duke tejkaluar autorizimet e tyre kushtetuese dhe ligjore. Për shkak të papajtueshmërisë ligjore dhe kushtetuese, çdo vendim i marrë nga persona që mbajnë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe ministrit në detyrë përbën vendim të kundërligjshëm. Si rrjedhojë, e kundërligjshme është edhe vendimmarrja e djeshme.”Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë ndalojnë që një person të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i qeverisë. Nëse një ministër zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i ministrit para certifikimit të zgjedhjeve. Qeveria në detyrë mund të vazhdojë punën, por nuk mund të përbëhet nga persona që janë edhe deputetë. Këtë e ka konfirmuar Gjykata Supreme, e cila shpalli të paligjshëm një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave sepse ishte nënshkruar nga një ministër që në atë kohë ishte edhe deputet. Në rastin e djeshëm, duke vepruar si persona zyrtar dhe duke shfrytëzuar kundërligjshëm detyrën e tyre zyrtare, deputeti Kurti dhe disa nga deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës, duke vepruar në cilësinë e kryeministrit në detyrë dhe ministrave në detyrë, miratuan dhe nxorën vendime, duke tejkaluar autorizimet e tyre kushtetuese dhe ligjore. Për shkak të papajtueshmërisë ligjore dhe kushtetuese, çdo vendim i marrë nga persona që mbajnë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe ministrit në detyrë përbën vendim të kundërligjshëm. Si rrjedhojë, e kundërligjshme është edhe vendimmarrja e djeshme”.
IKD-ja kërkon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të hetojë veprimet e dyshuara për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe fondeve publike për përfitime politike në prag të zgjedhjeve.
Përtej kësaj, vendimet e nxjerra tejkalojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e një Qeverie në detyrë. Ligji për Qeverinë thekson se “Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin…”. Në rastin konkret, vendimet e marra nuk janë vendime të planifikuara me Planin Vjetor të Punës si dhe nuk janë të parashikuara me ligjin vjetor për buxhetin. Kësisoj, vendimet në fjalë tejkalojnë kufizimet e një qeverie në detyrë dhe rrjedhimisht përbëjnë vendime të kundërligjshme që qeveria në detyrë nuk ka kompetencë, respektivisht të drejtë t’i merr.
Në anën tjetër, koha në të cilën këto vendime janë nxjerrë, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, ngritë dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fondeve publike për qëllime elektorale, veprime këto penalisht të sanksionuara. Neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës thekson se “Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”.
Kundërligjshmëria në të cilën përfshihen vendimet e marra vetëm pesë (5) ditë para raundit të parë të zgjedhjeve lokale ngre dyshime se ato janë ndërmarrë me qëllim favorizimi politik të partisë apo kandidatëve të partisë LVV që garojnë në zgjedhjet lokale të caktuara me 12 tetor 2025. Kjo tregon se këto veprime mund të jenë bërë për të ndikuar te votuesit dhe për të sjellë më shumë vota për subjektin politik që përfaqësohet në mënyrë të kundërligjshme përmes qeverisë në detyrë, Në këtë mënyrë, krijohet “çfarëdo dobie” për partinë në pushtet apo kandidatët e saj që janë pjesë e garës në shumicën e komunave. Ndërkaq, qëllimi (dashja), si element i kësaj vepre penale, vërtetohet edhe nga fakti se po vazhdohet me marrjen e vendimeve, megjithëse Gjykata Supreme ka konstatuar qartë se personat e certifikuar si deputetë nuk kanë të drejtë të marrin vendime në cilësinë e anëtarit të Qeverisë.
Kështu, vendimmarrja e djeshme, në tejkalim të autorizimeve ligjore, shkeljes së procedurave dhe në prag të ditës së zgjedhjeve, ngre dyshime për përmbushje të të gjitha elementeve të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Në këtë drejtim, përballë këtyre dyshimeve publike për kryerje të veprave penale, IKD kërkon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që këtë përgjegjësi ta adresojë brenda kompetencave dhe përgjegjësive të tyre. /Zëri